Në raportin e punës të Inspektoratit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë, rezulton se gjatë vitit të kaluar më shumë ka pasur parregullsi në institucionet private shëndetësore sesa në ato publike.
Inspektorati Shëndetësor gjatë vitit 2017 ka kryer gjithsej 1048 inspektime në institucione publike dhe private. 268 prej tyre janë kryer në nivelin parësor, 81 në atë dytësor dhe 83 në nivelin tretësor publike. Ndërsa në institucionet private janë kryer 606 inspektime.
Sipas raportit të ISH-së, pacientët janë ankuar për shërbime jo të mira më shumë në institucionet private shëndetësore, sesa në QKUK, shkruan Gazeta Shneta.
Janë 14 ankesa për shërbime jo të mira në Qendrën Klinike Universitare, ndërsa 10 më shumë janë bërë për ordinancat dhe spitalet private.
Këto të fundit poashtu dominojnë në parregullsi edhe sa i përket informimit të pacientëve. Inspektorati ka gjetur 437 raste të parregullsisë në informim në institucionet private, ndërsa vetëm 62 në ato publike.
Spitalet publike janë më të pakujdesshme sa i përket higjienës, ndërsa privatet kanë më shumë parregullsi tek mbeturinat mjekësore. /Gazeta Shneta/