Kohët e fundit është shtuar numri i viruseve tek fëmijët. Vetëm në repartin e Pediatrisë në Spitalin e Vushtrrisë janë duke u trajtuar rreth 70 pacientë në ditë. Shefi i repartit fajëson edhe mjekësinë familjare për mosbashkëpunim
Ariana Ismaili
Shumë fëmijë janë duke u trajtuar për çdo ditë në repartin e Pediatrisë në Spitalin e Vushtrrisë për shkak të viruseve dhe gripit sezonal. Shefi i këtij reparti, Dr. Naser Rexhaj, ka deklaruar se rreth 70 pacientë marrin trajtim për 24 orë.
Rastet më të shpeshta janë ato që paraqiten me infeksione të ndryshme, anemi, bronhit dhe gripe sezonale. Rexhaj ka dhënë disa këshilla për prindërit. “Le t’i anashkalojnë metodat tradicionale, le të edukohen e t’i njohin terapitë që ne ua përshkruajmë fëmijëve, pasi verës sidomos ka shumë barkëqitje”, ka thënë ai, shkruan Gazeta Shneta.
Për shkak të barkqitjes, mjeku këshillon nënat që të kenë kujdes me ushqimet që ua servojnë fëmijëve. Mjeku shton se rastet e lehta diagnostikohen në repart, ndërsa kur kanë të bëjnë me raste të rënda si leukemi, kërkohen analiza që varen edhe nga puna e laboratorit.
Rexhaj ankohet se nuk kanë bashkëpunim me mjekësinë familjare në Vushtrri, çka po ua vështirëson punën. “Numri i lartë i pacientëve 70-80, vjen për shkak të mosbashkëpunimit mes repartit tonë dhe të mjeksisë familjare që i udhëzojnë gjithë pacientët tek ne, ndonëse kemi mungesë të infermierëve dhe mjekëve specialistë”, ka thënë ai.
Rexhaj kërkon më shumë kordinim të punëve mes këtyre reparteve pasi që kjo do të jetë lehtësim për ta. “Unë kam kërku çdo lloj bashkëpunimi, pasi ata munden me na ndihmu, ndërsa Pediatria është sekondare, trajton vetëm raste specifike ka thënë Rexhaj. Ky repart ka një kapacitet prej 14 shtretër, dhomën gjysmë-intensive dhe atë të emergjenës e pajisur komplet, e cila sipas mjekut është zgjedhur më e mira në Kosovë. /Gazeta Shneta/