Policia e Kosovës ka bastisur edhe Spitalin “Sirona” gjatë ditës së djeshme ku janë arrestuar tre doktorë.
Policia e Kosovës ka njoftuar sot për arrestimin e dy meshkujve shtetas të huaj dhe një mashkulli shqiptar nën akuzë për transplantim të kundërligjshëm dhe trafikim të organeve dhe qelizave njerëzore në Spitalin “Sirona” në Çagllavicë, shkruan Gazeta Shneta.
Njësia policore kundër trafikimit me qenie njerëzore dhe Inspektorati Shëndetësor kanë bërë kontrollimin e “Sironës” ku janë sekuestruar si provë materiale kopjet e dosjeve mjekësore dhe disa dokumentacione të ndryshme.
Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërkaq Inspektorët kanë mbyllur shërbimin e IVF-së.
“Sirona” është institucioni i tretë që është bastisur nga Policia dhe janë arrestuar doktorë nën dyshimet e njëjta sikurse në Spitalin “Bahceci” dhe Klinikën Amerikane. Të tri këto institucione po akuzohen nga shteti se kanë kryer transplantime të jashtëligjshme si dhe trafikim me organe. /Gazeta Shneta/