Java 37

2017-01-09 në ora 07:47
Si një shalqi, i madh dhe në lëvizje (Foto: Eumom)

Bebja juaj tani mund të peshojë deri në 3.2 kg. Ai për momentin duket në formë sikurse të ishte i lindur.

Në shumicën e shtatzënive, bebja që tani fillon lëvizjen drejt pozitës së lindjes. Bebja juaj po vazhdon ta praktikojë frymëmarrjen, por hapësira për manovra e lëvizje çdo herë e më shumë po i zvogëlohet.

Në këtë periudhë, bebja juaj po krijon një substancë yndyrore e cila do ta ndihmojë me rregullimin e temperaturës.

Në këto javë të mbetura, bebja juaj do ta plotëfunksionalizojë aktivitetin e trurit dhe mushkëritë. E, nëse ju dëshironi që të lindni me prerje cezariane, mjeku juaj do ua caktojë terminin rreth javës 39-të.

Bebja juaj tani e ka kokën e mbushur me flokë që shkon në pak centimetra gjatësi. Por, mos u befasoni nëse ngjyra e flokëve nuk është e njëjtë sikurse e juaja pasi në shumë raste ndodh ashtu.

Ndryshimet te ju

Si shkak i uljes së sasisë së lëngu amniotik, barku juaj mund të mos vazhdojë rritjen siç e ka bërë gjerë tani, por besojmë se mjafton.

Në këtë periudhë është e rëndësishme të dalloni simptomat normale të shtatzënisë me shenjat që sinjalizojnë lindjen.

Te këto të fundit mund të ndajmë dy kategori: Shenjat që tregojnë se lindja do të ndodh shumë shpejtë dhe shenjat që tregojnë se lindja po ndodh tani.

Përgatitni ushqime të ngrira (Foto: Bubhub)

Disa nga shenjat që sinjalizojnë ardhjen e bebës suaj shumë shpejtë janë:

  • Sekrecione gjaku apo mukozë që del nga vagina juaj
  • Përzierjet në stomak dhe të vjellat
  • Diarea

Në anën tjetër, shenjat e lindjes në proces janë:

  • Derdhja e ujit
  • Kontraksionet e rregullta dhe të pandërprera
  • Dhimbja e madhe dhe e pandërprerë në shtyllën kurrizore

Mjeku juaj e përcakton kohën se kur duhet të shtroheni ju në spital. Nëse ndodhin tre veprimet e fundit, ai mund t’iu rekomandojë menjëherë shtrirjen në spital.

Kontrolli me ultrazë

Imazh i realizuar në javën 37

Si do të dukej bebja juaj tani nëse do të kishit mundësinë e një vizualizimi me ultrazë? Ajo është duke ushtruar funksionet më vitale për jetë.

Në këtë periudhë mund t’iu rekomandohet testi i profilit biofizik të bebës suaj që kryhet me ultrazë dhe një test non-stres. Gjithashtu shikohet pozita e bebës suaj.

Për nënat që janë me binjakë mjeku juaj do të flasë me ju për lindjen me prerje cezariane, varësisht nga historia juaj e mëparshme.

Bëjeni gati çantën me gjësendet e nevojshme

Duke qenë se po i afroheni terminit të lindjes por ndoshta edhe lindjes së parakohshme, është mirë që ju që tani të përgatitni çantën tuaj të lindjes.

Në të duhet të vendosni gjësendet që do t’iu duhen në spital. Për t’iu dhënë sqarime rreth çantës mund ta shikoni videon e mëposhtme të mamisë me përvojë ndërkombëtare, bashkëpunëtore e Gazeta Shneta, Razije Musa xhiruar nga emisioni Familja Ime.