Java 36

2017-01-09 në ora 07:46
Ka ardhur koha e pushimit dhe relaksit para lindjes (Foto: Eumom)

A po vëreni lëvizje të ngadalësuara të bebës suaj? Nëse po, mos u brengosni. 5 deri në 10 % të rasteve, nënat raportojnë se bebja fillon të ngadalësojë lëvizjet pasi të shtohet pesha dhe të zvogëlohet hapësira e manovrimit.

Përkundër kësaj, ju keni mundësi që të vëreni lëvizjet e bebës suaj më shumë se 10 herë në ditë.

Nëse merakoseni për mos-lëvizjen e bebës, konsumojeni një lëngë të freskët portokalli dhe më pas shtrihuni anash për një kohë. Shumica e bebeve do të zgjohen dhe do të lëvizin.

Bebja juaj tani peshon afërsisht 2.6-2.8 kg dhe gjatësia mund të shkojë deri në 50 cm. Pra, ajo po i bën vend vetës për të dalë nga trupi juaj!

Gjerë tash, beba juaj duhet të ishte me kokë poshtë në drejtim të pelvikut. Nëse një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende, mjeku juaj mund të caktojë një termin për të provuar kthimin në pozitën cefalike.

E mbani mend lëkurën lanugo që mbulonte fëmijën tuaj? Ajo tani është zzhdukuar bashkë me substancën e bardhë që mbulonte bebën tuaj.

Ndryshimet te ju

I jeni afruar muajit të fundit të shtatzënisë. Koha po fluturon për ju dhe për bebën tuaj. Kaq shpejtë shkuan 36 javë, apo jo?

Duhet t’i lini punët e shtëpisë, ju duhet pushimi (Foto: Bubhub)

Pasi bebja juaj mund të vendos për të dalë jashtë nga momenti në moment, ju duhet të bëni përgatitjet e fundit për këtë gjë.

Kontrolloni listën e gjësendeve që duhet t’i keni me vete në spital, kontrolloni sigurimin tuaj shëndetësore varësisht se ku do ta kryeni lindjen.

Çka tjetër duhet të provoni? Një darkë e qetë me partnerin do t’iu ndihmonte në këtë kohë shumë. Relaksi i mendjes dhe pushimi i trupit janë shumë të rëndësishme në këtë fazë.

Lodhja që ka kapluar trupin tuaj, ënjtet dhe funksionaliteti i çuditshëm i organeve kanë bërë që ju të dërrmoheni. Por, s’ju ka mbetur edhe shumë.

Ndryshimet më të mëdha i ka pësuar trupi juaj, që tani peshon më shumë se 16 kg e mund të shkojë deri në 22 kg.

E, nënat që presin binjakë, ka mundësi që të kryejnë lindjen këtë javë. Shumë prej tyre e bëjnë ashtu. Por, pastaj duhet kujdesi intensiv neonatal për bebet.

Sa më shumë që e shtyni shtatzëninë tuaj afër javës 40, aq më shumë zvogëlohen gjasat për nevojën e kujdesit intensiv për bebet tuaja.

Kontrolli me ultrazë

Profili i bebës në javën 36 me ultrazë 3D/4D HDLive

Nga madhësia e bebës suaj, edhe mjeku e ka pak të vështirë të kryej ekzaminimin me ultrazë. Vetëm pozita të caktuara mund të kapen në monitorin e kësaj pajisje.

Por, në terminin që e keni këtë javë, mjeku juaj do ta shoh pozitën e bebës suaj dhe nëse është kthyer me kokën poshtë.

Nëse nuk është kthyer ende, mos u brengosni. Ka ende shanse që të kthehet në pozitën natyrale. Një mënyrë tjetër është të provohet nga jashtë.

Mjeku juaj me shtytje dhe presion në barkun tuaj, provon që ta kthej bebën në pozitën natyrale të lindjes.

Bëjeni gati çantën me gjësendet e nevojshme

Duke qenë se po i afroheni terminit të lindjes por ndoshta edhe lindjes së parakohshme, është mirë që ju që tani të përgatitni çantën tuaj të lindjes.

Në të duhet të vendosni gjësendet që do t’iu duhen në spital. Për t’iu dhënë sqarime rreth çantës mund ta shikoni videon e mëposhtme të mamisë me përvojë ndërkombëtare, bashkëpunëtore e Gazeta Shneta, Razije Musa xhiruar nga emisioni Familja Ime.