Java 31

2017-01-09 në ora 07:45
Kungulli i vogël brenda trupit tuaj tani është 31-javësh (Foto: Eumom)

Shtimi i peshës dhe aktiviteti i madh i trurit vazhdojnë të karakterizojnë edhe këtë javë të zhvillimit të bebës suaj.

Lidhjet mes qelizave individuale nervore po bëhen me ritme super të shpejta. Miliarda e miliarda qeliza të tilla do të krijohen.

Bebja juaj tani po proceson informacione, po e ndjen dritën, sikurse që ka ndjesi edhe për pesë shqisat.

Sigurisht se bebja juaj nuk mund të nuhas ende asgjë pasi gjendet në fluidin amniotik, por me të rënë në kontakt me ajrin do ta bëjë.

Thithja e gishtit vazhdon të jetë një veprim i preferuar, sikurse edhe goditjet e shpeshta dhe shpeshherë të forta për t’u përballuar.

Ndryshimet te ju

Krijoni afërsi me partnerin dhe mundësojani edhe atij ta shijojë shtatzëninë (Foto: Bubhub)

Mitra po vazhdon të zgjerohet lartë dhe kjo sigurisht se ka filluar të pengojë frymëmarrjen tuaj. Probleme keni edhe me organet e tjera, të cilët duhet të lëshojnë vend gjithashtu.

Kjo është normale pasi jeni në përfundim të muajit të gjashtë të shtatzënisë dhe muaji i shtatë është afër të fillojë së numëruari.

Kontraksionet i keni më të shpeshta, sikurse edhe urinimin. Dhimbjet në trup janë gjithashtu normale në këtë fazë.

Tani ju keni shtuar mbi 9 kg peshë dhe do të vazhdoni ta bëni një gjë të tillë për javët e mbetura.

Konsumoni ushqim të shëndetshëm së bashku me nutricionet e tjera të nevojshme për ju dhe bebën tuaj.

Kontrolli me ultrazë

Pozita e bebës në javën e 31-të? Do të duhej të ishte me kokën poshtë. Kjo mund të mësohet nga ekzaminimi me ultrazë.

Kujt i ka ngjarë më shumë: Nënës apo babait?

Mjeku do t’iu rekomandojë të gjitha nënave që kanë probleme me diabetin gjestacional ose që presin binjakë të kenë një vizitë me ultrazë në këtë kohë.

E dimë se ju dëshironi ta shikoni fytyrën e bebës suaj për të vazhduar debatet se kujt i ka ngjarë më shumë, andaj ju preferojmë një vizitë ultrasonografike 3D/4D.

Seksi në këtë fazë të shtatzënisë

Marrëdhëniet seksuale janë të lejuara edhe në këtë fazë të shtatzënisë, përvec të ndonjë udhëzimi tjetër të mjekut.

E, seksi dhe orgazma mund të kenë efekte interesante te bebja juaj. Në disa raste, bebja mund të jetë krejt e qetë pasi prindërit kryejnë marrëdhënie seksuale (ndoshta e lodhin lëvizjet), ndërsa në raste tjera ajo vazhdon të jetë shumë e gjallë dhe e lëvizshme.

Por, ju nuk keni nevojë të brengoseni pasi asnjëra nga këto nuk i bën dëm bebës suaj.

Vazhdoni ta shijoni jetën tuaj seksuale me partnerin edhe në këtë fazë, ndoshta jo në maksimumin e saj, shkaku i pozitave të limituara seksuale.