SHSKUK synon të ulë numrin e pacientëve që kërkojnë shërim jashtë vendit nga Ortopedia dhe Oftalmologjia

2018-12-06 në ora 09:12

SHSKUK ka filluar të investojë në Ortopedi dhe Oftalmologji në mënyrë që të ulë numrin e pacientëve që kërkojnë shërim jashtë institucioneve shëndetësore publike. Pacientët nga këto dy klinika konsumojnë më së shumti buxhet nga programi i MSH-së për trajtim në spitale private apo jashtë vendit

Gjatë vitit të kaluar nga Klinika e Ortopedisë në QKUK, shërim në spitale private ose jashtë vendit kanë kërkuar 239 pacientë të cilët janë financuar me mbi 1 milion e 700 mijë euro. Ndërkaq 378 pacientë janë financuar me mbi 1 milion e 158 mijë euro nga Klinika e Syve.

Në mungesë të aparaturave dhe stafit mjekësor, pacientët nga këto dy klinika konsumojnë pothuajse më së shumti buxhet nga programi i MSH-së për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike. Por këtë numër të pacientëve po synon ta ulë Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, shkruan Gazeta Shneta.

Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së, Dr. Basri Sejdiu, thotë se prioritet i menaxhmentit është ulja e referimeve për trajtim jashtë institucioneve publike. Kjo sipas tyre është bërë me funksionalizimin 24 orësh të shërbimit të kardiokirurgjisë dhe kardiologjisë invazive dhe nuk ka më referime jashtë vendi. Për pacientët e këtyre dy klinikave MSH vitin e kaluar ka paguar mbi 2 milionë euro.

“Me prioritet u trajtua edhe Klinika e Ortopedisë, ku është caktuar orari 24-orë i anesteziologëve ku ka rritje të dukshme të numrit të operacioneve për 510 sosh.  Po punohet që në ortopedi të funksionalizohet edhe një sallë operative shtesë dhe do ndikoj në rritjen e numrit të operacioneve”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.

Kjo zyrë ka deklaruar se menaxhmenti ka në plan që gjatë vitit të ardhshëm ta furnizoj Ortopedinë edhe me pajisje të reja. “Prioritet i është dhënë dhe do t’i jepet edhe më 2019, furnizimit me pajisje moderne të nevojshme për punë. Do të ketë edhe trajnime stafi aty ku vlerësohet e nevojshme dhe kjo do ndikoj që mos ketë referime jashtë Klinikës së Ortopedisë”.

Ndërkaq SHSKUK ka deklaruar poashtu se prioritet i veçantë do t’i kushtohet edhe Klinikës së Syve, sidomos në trajnim stafi, por edhe aparaturën e nevojshme në mënyrë që pacientët t’i marrin shërbimet brenda klinikës.

Drejtori i Klinikës së Syve Dr. Florim Zejnullahu, në një intervistë më herët për Gazetën pati deklaruar se janë në bisedime me drejtorin e SHSKUK-së dhe ministrin e Shëndetësisë që të realizohet projekti për intervenime të kirurgjisë vitro-retinale, e cila lidhet me disa lloje të patologjive të syrit. /Gazeta Shneta/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *