Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka dhënë disa arsyetime për gjetjet e raportit të Auditorit të Brendshëm ku janë evidentuar shkelje të shumta në procedurat e furnizimit, blerjes së mallit, pranimit të faturave dhe pagesave të tyre.
SHSKUK-së nuk i ka ardhur mirë publikimi i këtij raporti në Gazeën Shneta, duke thënë se “Publikimi në media i raporteve të brendshme nuk është në harmoni me ligjin dhe krijon huti tek lexuesit”.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga SHSKUK për gjetjet skandaloze në këtë raport ku është evidentuar se 65 për qind të lëndëve të testuara, faktura është pranuar para zotimit të mjeteve dhe në 114 apo 97 për qind të lëndëve faktura është pranuar para urdhërblerjes.
Por për këto shkelje procedurale SHSKUK po ia lë fajin mungesës së buxhetit, ndonëse shëndetësia ka pasur ngritje të buxhetit në tre vjetët e fundit. “Një ndër faktorët kryesor për këtë, përveç mungesës buxhetore, janë edhe obligimet – borxhet e trashëguara nga vitet e kaluara. Të gjitha këto procedura kanë qenë të lidhura me furnizime esenciale si ushqim, furnizime mjekësore etj”.
“Gjithashtu pengesë serioze në kryerjen e procedurave të caktuara për pagesa kanë qenë edhe mungesat buxhetore të cilat në raste të caktuara kanë rezultu me bllokimin e mjeteve për procedurat e caktuara, duke krijuar mungesën e mjeteve per realizimin e kërkesave tjera”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Ndonëse auditori ka gjetur se 65 për qind e faturave janë pranuar para zotimit të mjeteve, SHSKUK e thotë të kundërtën. “Duke u nisur nga mungesat buxhetore, vite me radhë ne kemi mos harmoni në mes kërkesës dhe mjeteve buxhetore në dispozicion. Kjo situatë na ka shtyer që në rastet e caktuara të mos kemi zotimin paraprak të mjeteve. Me përgjegjesi te plotë ju sigurojmë se çdo procedurë për të cilën parashihet kërkesa është kryer me kërkesën paraprake”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së. /Gazeta Shneta/