Në planin e punës për vitin 2018 ku është i përfshirë edhe raporti i punës së vitit të kaluar, SHSKUK ka përfshirë gjithçka përveç vdekjes së pacientëve
Për vitin 2017, SHSKUK ka përmendur numrin e madh të vizitave, trajtimeve dhe hospitalizimeve të pacientëve.
Në raport, të cilin e posedon Gazeta Shneta, thuhet se furnizimi me barna nuk ka qenë i kënaqshëm, ndërsa ankohen se për shkak të burokracisë nuk kanë qenë në gjendje që ta shfrytëzojnë krejt buxhetin e ndarë nga Qeveria.
Sipas përllogaritjeve të Shërbimit Spialor, shërbimet e ofruara gjatë vitit 2017 kapin vlerën prej mbi 92 milionë euro. Një ditë shërimi në QKUK llogaritet 20 euro, një operacion 500 euro, ndërsa lindja në Gjinekologji 150 euro.
Shërbimet më të shtrenjta që janë kalkuluar nga SHSKUK, janë stentat me 700 euro dhe bateritë e zemrës me 1500 euro.
SHSKUK ka përmendur edhe disa nga ngecjet me të cilat përballet, si mungesa e hapësirave, mungesa e kuadrove të specializuara, shfrytëzimi i paplanifikuar i buxhetit, etj.
Por në këtë raport nuk është përfshirë edhe njëri nga skandalet më të mëdha që ky shërbim është përballur ndonjëherë.
Vdekja e tre pacientëve vitin e kaluar në rrethana të dyshimta, nuk ka hyrë në raportin e punës së vitit të kaluar, i cili është përpiluar nga drejtori Dr. Basri Sejdiu.
Përveç këtyre tri vdekjeve të dyshimta, SHSKUK nuk ka raportuar as për numrin total të vdekjeve të pacientëve në shërbimet e saj.
Derisa janë përmendur dhe promovuar pothuajse të gjitha shërbimet e kryera, përfshirë edhe numrin e lindjeve, numri i vdekjeve mungon. /Gazeta Shneta/