Javën e kaluar disa pediatër të SHSKUK-së kanë udhëtuar për në Turqi ku kanë marr pjesë në Kongresin e 61-të turk të pediatrisë.
11 pediatër nga Klinika e Pediatrisë dhe Spitalet e Përgjithshme, kanë qëndruar në hotelin luksoz me 5 yje “Ragnum” në Belek në Antalia, shkruan Gazeta Shneta.
Në vitin 2014 kjo kompani kishte dërguar 50 pediatër nga klinika e Pediatrisë në Turqi. Ndërsa dy vite më herët kishte çuar në pushime në bregdetin e Turqisë, ish-drejtorin e SHSKUK-së Njazi Gashin së bashku me bashkëshorten dhe disa mjekë të tjerë.
E kjo për SHSKUK-në atëherë dhe tash është krejt në rregull. Me rëndësi për ta është që klinika të mos mbetet pa mjekë, ndërsa nuk mërziten nëse këto udhëtime mund të sjellin konflikt interesi ndërmjet mjekëve që përshkruajnë barna për fëmijë dhe kompanive farmaceutike që i shesin ato.
Zyra e drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së thotë se 11 pediatër, përfshirë drejtorin e klinikës së Pediatrisë, kanë plotësuar individualisht formularin për ndjekje të Simpoziumit- Seminarit apo Kongresit.
“Poashtu, edhe drejtori i klinikës përkatëse përmes një shkrese përcjellëse ka garantuar mbarëvajtjen e punës dhe organizimin e kujdestarive e ambulancave specialistike gjatë kohës së qëndrimit jashtë vendi. Bazuar në informatat që posedon drejtoria e përgjithshme puna në Klinikën e Pediatrisë ka qenë e organizuar dhe mbuluar 24-orë dhe nuk janë paraqitur probleme”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyre.
Kjo nuk është e vetmja kompani që financon udhëtime të tilla dhe SHSKUK-ja nuk ka folur nëse kjo përbën konflikt interesi, e madje as nëse do të marr masa për ndalimin e tyre. /Gazeta Shneta/