SHSKUK ka ndarë qindra euro kompensime për punëtorët e administratës, por iu ka mbet borxh po aq para mjekëve dhe infermierëve për kujdestari dhe ndërrime. Kompensimet janë arsyetuar me orët shtesë, ndërsa borxhi ndaj punëtorëve mjekësorë është arsyetuar me mungesë buxheti
Gjatë ditës së djeshme mediat kanë publikuar dokumentet ku shihen pagat e punëtorëve të administratës së Shërbimit Spitalor Klinik Universitar. Në këto dokumente janë të paraqitura edhe kompensimet qindra euroshe që kanë marr këta punëtorë.
Gazeta Shneta ka siguruar një email të Shefit të Financave të SHSKUK-së, Sherif Bytyqi, i cili i njofton punëtorët mjekësor se 35 për qind e kujdestarive gjatë muajit dhjetor nuk do të paguhen pasi ka mungesë të buxhetit. Ai shkruan se ky borxh do të lahet pas miratimit të buxhetit për vitin 2019.
“Ju njoftojmë se për tërë personelin e QKUK të cilët kanë kujdestari dhe ndërrime nate, për të realizuar pagesën e pagës bazë janar 2019 pasi nuk është miratuar ende buxheti këtë vit, kemi qenë të shtyrë që të zvogëlojmë kujdestarinë dhe ndërrimet e natës të muajit dhjetor 2018 për 35 %, të cilat shuma do të kompensohen në muajin vijues posa të miratohet buxheti”, thuhet në këtë email.
E buxheti i vitit 2019 pritet të votohet nesër në Kuvendin e Kosovës.
Ndërsa sa i përket kompensimeve, SHSKUK i ka arsyetuar duke thënë se janë paguar orët shtesë, ndërsa në disa raste kanë deklaruar se disa punëtorë i kanë marr përnjëherë pagat e dhjetorit dhe nëntorit, shkruan Gazeta Shneta.
“Zyra e drejtorit të përgjithshëm SHSKUK, ju njofton se të gjitha pagesat e stafit të punësuar në QKUK dhe SHSKUK, bëhen konform legjislacionit në fuqi. Poashtu, koficientët e pagave janë të rregulluar në nivel të Ministrisë së Administratës Publike. Sipas legjislacionit në fuqi, secili i punësuar paguhet për orët shtesë, përfshirë mjekë, infermierë dhe staf tjetër mbështetës teknik administrativ. Në rastet kur punëtorët kanë punuar jashtë orarit të punës, me kërkesë të institucionit, atëherë institucioni obligohet të paguaj orët shtesë. Në listat e pagave të muajit dhjetor, disa të punësuar kanë marrë dy paga, nëntor- dhjetor, për shkak se kanë qenë punëtorë të ri dhe nuk kanë hyrë në listë pagave dhe nuk kanë marrë pagat e nëntorit edhe pse kanë punuar. Gjithçka ka qenë ligjore dhe arsyetuar edhe në thesarë”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.