Ndarja tragjike nga jeta e 18-vjeçares Ketjona Ibrahimi pas një operacioni në spitalin e Elbasanit është risjellë sërish në vëmendje gjatë së premtes nga familjarët e së ndjerës, të cilët ishin të ftuar në studion e emisionit “Me zemër të hapur” në “News 24”.
Dy motrat e Ketjonës dhe kunati i saj akuzojnë mjeken kirurge J.Maksuti për mjekim të pakujdesshëm dhe sipas tyre, kjo është arsyeja e ndarjes së saj nga jeta në mënyrë të parakohshme. Motra e Ketjonës u shpreh në studio se ndërkohë që ndodheshin në spitalin e Elbasanit, ata ishin munduar disa herë të kërkonin mjeken që operoi Ketjonën, por mjeku roje i kishte thënë se kirurgia mund të ishte edhe në gjumë.
“Pyeta se ku ishte doktoresha, por më thanë :’Nuk mund ta zgjojmë nga gjumi, ajo mund të vijë në orën 8-9 ose edhe 10’.”- u shpreh motra e së ndjerës. Ajo gjithashtu pretendon se 18-vjeçarja u operua në vezore dhe në tëmth dhe mjekët nuk gjetën asgjë.
Sakaq në një deklaratë të pak ditëve më parë, përfaqësuesit e spitalit të Elbasanit bënë me dije se 18-vjeçarja është operuar vetëm një herë. Pritet që autopsia të zbardhë shkakun e vërtetë të ndarjes nga jeta të Ketjona Ibrahimit./Balkanweb