Minorenët dhe gratë te cilat kanë kryer vepra penale, ndajnë dhomat e njëjta për shkak të hapësirës së pamjaftueshme në Institutin e Psikiatrisë Forenzike
Qendresa Uka
Qëllimi i themelimit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike është trajtimi i shkelësve të ligjit të cilët kanë probleme me shëndetin mendor. Problemi qëndron se në këtë institucion trajtohen edhe të mitur, që nuk kanë kryer vepra penale.
Drejtori i Institutit, Gani Halilaj, deklaron se përveç hapësirave të pamjaftueshme, prokuroritë dhe gjykatat bëjnë adresime konfuze në këtë institut, ndonjëherë dërgojnë persona të cilët nuk kanë kryer vepër penale, shkruan Gazeta Shneta.
“Për arsye se definimi i këtij institucioni akoma nuk kuptohet mirë edhe nga institucionet relevante përgjegjëse, ose që na furnizojnë neve me të pandehur”.
“Është fjala për gjykatat dhe prokuroritë për arsye se ne jemi institucion që kryejme shërbime shëndetësore, jemi institucion në shërbim të ministrisë së Drejtësisë, gjykatave dhe prokurorisë dhe rastet të cilat vijnë për t’u trajtuar, por edhe për vlerësime psikiatrike forenzike, dhe rastet vijnë në mënyrë konfuze nga aspektet e spjegimit të vetë gjykatave”, tha Halilaj.
Personat të cilët e pësojnë më së shumti për shkak të orientimit të gabuar nga ana e prokurorive dhe institucioneve janë të miturit.
Halilaj deklaroi se dërgimi i të miturve të cilët kanë kryer vepër penale në këtë institucion cilësohet si shkelje e të drejtave të tyre.
“Një rast i tillë nuk duhet të ndodhë, për shkak se këtu kemi praktikisht një shkelje të drejtave të tyre, për arsye se rastet e tilla duhet një trajtim i vecantë. Duhet një tretmanë krejt tjetër sa i përket çështjes së tyre, sepse është i vecantë. Por neve na paraqet pengesë sepse ne duhet të bëjmë rotacione të shpeshta”, theksoi Halilaj.
Problemi i definimit të statusit së këtij institucioni ka mbetur peng. Institucioni nuk dihet se cilës ministri i takon dhe sa është buxheti i saj.
Edhe pse ky institucion është kryekput shëndetësor, të gjitha punët i kryen në bazë të kërkesave të Prokurorisë, Gjykatave dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Institucionet relevante janë marr shumë pak, po thuajse hiq me Institutin. Pasi ende nuk e ka të zgjedhur statusin ligjor, ne jemi në kuadër të QKUK-së, e që nuk duhet të jemi. Për arsye se kryejmë shërbime shëndetësore, puna jonë më e mirë duhet të jetë në kuadër të ministrisë së Shëndetësisë. Edhe në ligjin për aspekt mendor, kjo çështje nuk është definuar”, deklaroi Halilaj.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuerve dhe të Torturës (QKRMT), pas monitorimit ka vlerësuar se ky institut ka shërbimet më të mira mjekësore në krahasim me klinikat e tjera në Kosovës, ndërsa edhe Komiteti i Helsinkut e ka radhitur këtë institucion në vendin e parë në rajon. /Gazeta Shneta/