Tashmë që ka zgjidhje për të gjitha defektet e lindura në zemër, është e rëndësishme t’i japim mundësinë çdo fëmije që të diagnostikohet dhe kurohet në kohë. Kur vjen puna te fëmijët bota bëhet edhe më e madhe, edhe më e ndjeshme.
Ne synojmë të arrijmë një sensibilizim të prindërve dhe mjekëve neonatalë, që të jenë të kujdesshëm në kontrollin e përgjithshëm të fëmijëve në momentin e lindjes, me qëllim pasqyrimin e saktë të shëndetit të fëmijës. Duke bërë kontrollin në kohë, edhe në raste sëmundjesh, arrihet në kohë edhe ndihma, për pasojë edhe rikuperimi i plotë shëndetësor, pasi ndërhyrja në kohën e duhur është efikase.
Gjithashtu, një synim tjetër është sigurimi i pajisjeve moderne, në ndihmë të kujdesit shëndetësor për sëmundjet e lindura të zemrës. Kështu është arritur që një pjesë të madhe të rasteve me defekte të bëhen, pasi edhe këtu ka mjekë të talentuar, të cilët kanë treguar se pjesa më e madhe e problemeve në zemër mund të zgjidhen këtu.
Statistikat botërore na tregojnë se 7-8 në 1000 lindje rezultojnë me defekte të ndryshme të zemrës. Në vendet shqipfolëse, ky numër llogaritet 250-300 lindje në vit. Rreth 70 % e tyre kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale. Bazuar në të dhënat nga vetë mjekët kardiopediatër, sfida e vetme mbetet koha e diagnostikimit, e cila mund të jetë vendimtare për fatin e fëmijës. Sipas disa të dhënave të marra nga studimet e mjekëve në maternitete rezulton se nga rastet e konstatuara me vese kardiopatike shkaktohen 6-10% e vdekjeve infantile.
Në shumë raste, defektet nuk diagnostikohen, pasi rezulton se nuk ka dyshim klinik. Ndërkaq, disa vese të lehta mund të qëndrojnë të fshehura deri në një moshë të rritur. Gjithsesi, ajo që vërehet, është fakti i mungesës së një diagnostikimi të plotë për fëmijët e sapolindur, me qëllim saktësimin në kohë të diagnozës, nëse fëmija është i lindur me defekte në zemër apo jo.
Për të ndihmuar në diagnostikimin e hershëm, duhet të mbahen fushata sensibilizuese për prindërit dhe trajnuese për mjekët. Nga të dhënat e marra në disa qytete, rezulton se ka pak njohuri lidhur me problemet që mund të shoqërojnë një lindje, ndërkohë 90 për qind e të pyeturve shprehen se do t’i drejtoheshin abortit nëse mjeku do t’i paralajmëronte për një të dhënë të tillë.
Kjo do të thotë se ka pak njohuri për zgjidhjet që mund të kenë këto probleme, ndaj është me rëndësi që të trajnohen më së pari stafet obstetër dhe neonatalë, për të bërë të mundur evidentimin dhe shpjegimin lidhur me problemet dhe me mundësitë e zgjidhjes së këtyre defekteve që në momentet e para të lindjes.
Vlen të theksojmë se ende një pjesë e shoqërisë i mendon si të sëmurë të përhershëm këta fëmijë, ndërsa në realitet ndodh e kundërta, pasi mjafton një ndërhyrje në kohë që fëmija të jetë normal si të gjithë bashkëmoshatarët. Ndaj tashmë e shoh si prioritet ndërgjegjësimin e prindërve për ekzaminime të hershme, në mënyrë që dhe ndërhyrja të jetë në kohën e duhur. /Gazeta Shneta/