Instituti i Onkologjisë në QKUK ka promovuar gjatë ditës së sotme fillimin e punës me orar 24 orë.
Në këtë ngjarje mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili. Para se të hynte në Institut, Ismaili u ndal nga një burrë i cili kishte ardhur së bashku me gruan e tij. Kjo e fundit ishte shëruar nga kanceri para 5 vitesh në këtë institucion, shkruan Gazeta Shneta.
Ish-pacientja tha se u shërua nga sëmundja e rëndë fal mjekëve në Onkologji, ndërsa kërkuan nga ministri që të punojë më shumë për të rregulluar shëndetësinë.
Ismaili tha se shërbimi 24-orësh në Onkologji ndikon direkt në uljen e shpenzimeve të pacientëve nëpër spitale private.
“Sot kemi një shërbim 24 orësh që krijon mundësi për pacientët tanë që të mos kërkojnë shërbime në spitale private ku krijohet kosto më e madhe për ta. Më njoftuan se një pacient që është dashur ta kryej shërbimin të shtunën në një spital privat, ka anuluar terminin për ta kryer në Onkologji. Pra është një masë direkte që ndikon në jetën e qytetarëve”, ka deklaruar Ismaili.
Drejtori i Institutit Onkologjik tha se me këto shërbime do të menaxhohen më mirë efektet e mjekimit.
“Do të ofrohen shërbime edhe gjatë vikendit, ndërsa në pamundësi të udhëtimit do të ofrohen shërbime edhe për pacientët e radioterapisë”, ka deklaruar Dr. Ekrem Hyseni.
U.D. i Drejtorit të SHSKUK-së, Basri Sejdiu, tha se është duke u punuar që edhe shërbime të tjera të kryhen në 24 orë dhe kështu do të lehtësohet trajtimi i pacientëve në institucione publike.
“Pacientët e Onkologjisë kanë shpresë më pak sesa të tjerët dhe konsideroj se shërbimi 24 orësh është një ditë e madhe për ta”, ka shtuar ai. /Gazeta Shneta/