Sfida e babait, si t’i mbledh 200 mijë euro për ta shëruar vajzën nga kanceri në Turqi

2018-03-02 në ora 17:21

Maliqi, një baba nga Kosova po ndihet i pashpresë pasi nuk po mund të bëjë zgjidhje për ta shëruar vajzën e tij nga kanceri në Turqi, ku kostoja është mbi 200 mijë euro

Vajza me emrin Besa, 17-vjeçare, është e prekur nga kanceri i gjakut dhe shërim për të nuk ka në Kosovë. Madje mjekët këtu nuk kanë arritur t’ia caktojnë as terapinë, ka treguar babai për evropaelire.

“Kurrfarë mundësie këtu nuk kemi pasur për trajtimin e vajzës. Na kanë dërguar në Shkup e Beograd për analiza. Këtu kanë qenë mjekët shumë konfuz, as terapinë nuk dinin t’ia vazhdonin apo ndërpresin pas analizave të bëra atje. Shumë të pakënaqur kemi qenë me trajtim, ndonëse e ka pasur vajza një sëmundje komplekse”, thotë Maliqi.

Ai tregon se vajzës i duhet të bëjë transplantimin e palcës kockore, çka në Turqi kushton mbi 200 mijë euro. Ministria e Shëndetësisë e ka ndihmuar me 30 mijë euro, aq sa e parasheh udhëzimi administrativ për trajtim jashtë institucioneve publike. Për babanë tash mbetet sfidë si ta mbledh edhe pjesën tjetër.

“Tash e kemi dërguar vajzën në një spital në Turqi. Po thonë që më shumë se mbi 200 mijë euro do të na kushtojë transplanti. Aty 100 euro një natë vetëm me fjet ne si familjar. Çmimet atje për neve janë të papërballueshme. Tash po i kërkojnë edhe fëmijët tjerë për analiza, në mënyrë që nëse përputhen analizat mes vëllezërve e motrave, të bëhet transplanti i palcës kockore. Gjasat po thonë të jenë 80 për qind që të shërohet, por që ne nuk po mund ta përballojmë koston”, tha Maliqi.

Ndryshe, në Kosovë rreth 50 fëmijë në vit preken me sëmundjen e kancerit. Ekspertë shëndetësorë thonë se numri i fëmijëve të prekur me kancer është rritur brenda vitesh, nëse krahasohet me vitin 2008, kur në vit janë diagnostikuar vetëm 7 fëmijë me sëmundje të kancerit.

Megjithatë, rritja thuhet të mos jetë reale, pasi që diagnostikimi i fëmijëve me kohë është rritur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *