Dy prej kandidatëve për drejtor të Kirurgjisë Abdominale kanë kryer më pak se 50 operacione vitin e kaluar. Më së paku ka Dr. Skender Zatriqi me vetëm 23 sosh, ndërsa më së shumti ka Dr. Adem Rrusta me 77 operacione
Në konkursin për drejtor të Klinikës së Kirurgjisë Abdominale në QKUK, në garë kanë hyrë katër mjekë. Dy prej tyre janë doktorë shkence ndërsa dy të tjerë janë specialistë. Të parët qëndrojnë më mirë me tituj shkencor, por janë më dembel, ndërsa të dytët janë shumë më punëtorë, shkruan Gazeta Shneta.
Dr. Skender Zatriqi ia ka mësyrë të zë vendin e Dr. Rifat Bajramit. Ai mban titullin doktor shkence, por vitin e kaluar ka kryer vetëm 23 operacione si mjek kryesor, ndërsa tre operacione më pak si mjek asistent. Edhe Dr. Ferat Sallahu me titull është doktor shkence, por ai ka realizuar 47 operacione si mjek kryesor dhe vetëm shtatë si asistent.
Me numër të operacioneve qëndrojnë më mirë dy kundërkandidatët e tyre. Dr. Besim Sermaxhaj ka realizuar 56 operacione si mjek kryesor dhe 54 sosh si asistent.
Performancën më të mirë me operacione e mban Dr. Adem Rrusta, i cili është edhe shef reparti. Ai ka realizuar 77 operacione si mjek kryesor dhe 20 sosh si mjek asistent. Me këtë numër të operacioneve Rrusta është një nga kirurgët që ka punuar më së shumti vitin e kaluar në Kirurgji Abdominale.
Ndryshe Gazeta ka raportuar ditë më parë se numrin më të madh të operacioneve vitin e kaluar e ka realizuar Dr. Ismet Shaqiri me 224 si mjek kryesor dhe 108 si asistent. /Gazeta Shneta/