Agjencia Kundër Korrupsionit ka publikuar deklarimin e pasurisë së zyrtarëve të shtetit për vitin 2018. Në AKK janë deklaruar edhe udhëheqësit e shëndetësisë, ministri Uran Ismaili dhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, Dr. Basri Sejdiu.
Ismaili ka vetëm një pronë të paluajtshme, një banesë 151 metra katror e cila kushton 135 mijë euro dhe tre ari tokë në vlerë 20 mijë euro e cila është në pronësi të bashkëshortes. Megjithatë ai është aksionar në tri biznese mjaft fitimprurëse, ndërsa i merr edhe dy rroga nga shteti. Mbi 15 mijë euro paguhet në vit si ministër, ndërsa 195 euro në muaj paguhet nga Kuvendit Komunal në Prishtinë ku është asamblist, shkruan Gazeta Shneta.
Ismaili ka 33 për qind të aksioneve në kafiterinë “Bon Vivant” nga ku i merr mbi 6 mijë euro vit sipas deklarimit. Aksione 33 për qind i mban poashtu në pastiçerinë “Matisse”, si dhe në “Printques”. Por ministri duket se nuk po kursen fare para, pasi të paktën në bankë i ka vetëm 467 euro të gatshme.
Më shumë prona të paluajtshme e para në bankë ka drejtori i SHSKUK-së, Dr. Basri Sejdiu. Ai gëzon një shtëpi të trashëguar në vlerë 150 mijë euro, një banesë 80 mijë euroshe dhe dy pllace mbi 20 mijë euro. Sejdiu vozitë veturë në vlerë 12 mijë euro.
Kardiologu ka deklaruar dy biznese, NSH Diagnoza Invazive e cila është në pronësi të tij me kapital 50 mijë euro dhe SHPK Dr. Shkodrani me të njëjtin kapital në emër të fëmijëve. Drejtori i SHSKUK-së i ka të mbledhura në bankë 3400 euro të gatshme, ndërsa ka detyrime financiare në tri kredi të ndryshme në një nga bankat komerciale.
Sejdiu paguhet mbi 3 mijë e 300 euro në vit nga QKUK, ndërsa ka deklaruar 1600 euro nga ordinanca e tij private. /Gazeta Shneta/