Një pyetje shumë e zakonshme që kanë nënat me fëmijë të vegjël është kur duhet ndërprerë gjidhënia gjatë natës. Kur është në gjendje një fëmijë ta kalojë gjithë natën pa u ushqyer?
Duket se pediatrit ndahen për sa i përket qëndrimeve të tyre në këtë pikë. Disa pretendojnë se pasi ka bërë 3 muajsh, fëmija nuk duhet të zgjohet më natën për të pirë, ndërsa të tjerë rekomandojnë që foshnjat kanë nevojë të ushqehen 1-2 herë gjatë natës derisa të jenë 9 muajsh.
Cili grup ka të drejtë?
Edhe ju nëse do të pyesni pediatrin tuaj, me siguri do t’ju japë një përgjgije tjetër.
Megjithatë është ekstreme të mendohet se për të gjitha foshnjat funksionon i njëjti rregull. Secili ka nevojat e tij. Ka nga ata fëmijë që mund të flenë gjithë natën pa pasur nevojë të ushqehen, ndërkohë që ka të tjerë që mund të jenë e kundërta.
Më poshtë kemi përgatitur një mënyrë sesi mund t’i ushqeni fëmijët gjatë natës, që konsiderohet brenda intervalit “normal”:
- Të porsalindurit deri në 3 muaj: të ushqehen çdo 2-3 orë, sipas kërkesës.
- 3-4 Muaj: 2-3 herë në natë ose çdo 3-6 orë, sipas kërkesës.
- 5-6 Muaj: 1-2 herë.
- 7-9 Muaj: 1 (ndoshta 2) herë.
- 10-12 Muaj: 1 herë.
- 12 Muaj+: Në përgjithësi nuk kanë nevojë të ushqehen natën.
Unë, në mënyrë kategorike rekomandoj të paktën një përpjekje gjatë natës, për fëmijët nga 8-9 muaj. Një foshnjë ka nevojë për një sasi të caktuar ushqimi gjatë 24 orëshit dhe nëse ai e merr këtë sasi gjatë ditës nuk do të kërkojë gjatë natës, ose nëse nuk e ka marrë mjaftueshëm gjatë ditës, do ta kërkojë natën. Prandaj nëna duhet të bëjë një përpjekje, për të parë nëse fëmija ka nevojë për të pirë apo jo.
Unë personalisht u përpoqa ta ndaloj ushqyerjen natën kur fëmijët e mi ishin rreth 9 muajsh, por nuk ia dola. Ata vazhduan të kërkonin ende deri në 1 vjeç dhe unë e zëvendësova qumështin e gjirit me qumësht lope./pernenat.al