Keni dëgjuar këshillat e stër-stër-gjysheve tona, të cilat thonë se nëse i heqni flokët e bebes tërësisht, gjegjësisht të rruhen me maqinë rroje, flokët e reja që fillojnë të rriten pastaj, do të jenë shumë më të trasha dhe më të forta. Me siguri, të gjithë e kemi përjetuar një gjë të tillë kur kemi qenë të vegjël.
Por, sa është e vërtetë një këshillë e tillë, a e dini?
Sipas ekspertëve të trikologjisë, përkatësisht shkencës së veçantë për flokët, ata thonë se një gjë e tillë është thjeshtë mit, dhe nuk përkon fare me realitetin.
Rruajtja e tërësishme e flokëve nuk luan asnjë rol në trashësinë dhe fortësinë e flokëve. Flokët rriten nga disa folikula që gjenden brenda skalpit tuaj, dhe çfarë i bëni flokëve në sipërfaqe të jashtme, nuk ndikon në zhvillimin e flokut brenda në folikulë, transmeton Gazeta Shneta.
Kur flokët rruhen ato rriten të gjitha njëherazi, dhe për këtë arsye kur preket koka me duar jep ndjesinë se flokët janë më të trasha dhe më të forta. Pra, e gjitha është për shkak të gjatësisë së njejt kur ato fillojnë të shfaqen në sipërfaqe.
Është mëse normale që bebet të humbasin disa nga flokët e tyre gjatë rritjes, apo edhe t’i humbin të gjitha flokët e para të lindjes përnjëherë, zakonisht në muajin e 4. Pastaj, kur flokët fillojnë të rriten nga fillimi, mund të kenë strukturë të re, apo edhe ngjyrë tjetër.
Por, nëse ia prisni, heqni tërësisht, apo ia krihni 100 herë në ditë, nuk do të bëj ndonjë ndryshim fare. Kjo gjë ka të bëj vetëm me gjenetikën e bebes tuaj. /Gazeta Shneta/