Rritje pagash për mjekët për 1 prill 2019, premton kryeministri Rama

2018-10-17 në ora 16:14

Në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar, kryeministri shqiptar, Edi Rama, tha se të ardhurat e larta në buxhet, i japin qeverisë komoditetin për të aplikuar nga 1 prilli i vitit të ardhshëm për rritjen e pagave në shëndetësi, arsim si dhe në mbrojtje.

“Buxheti” është një nga arenat e betejës ku opozita dhe qeveria përplasin “brirët” përherë, por për kryeministrin Edi Rama çdo fjali kundër në këtë drejtim nga rivalët politikë do të ishte e kotë, pasi buxheti i 2019-ës është i gjashti që do aprovohet me propozim të qeverisë së PS dhe “ky do të jetë buxheti më i madh”, u shpreh kryeministri Rama.

Më tutje, Kryeministri u shpreh se qëllon të jetë një ditë përrallash, por për ne, thotë ai, ka pasur disa zhvillime në këtë datë.

“Kemi mundësinë të bëjmë një rritje tjetër duke nisur nga 1 prilli. Qëllon që është një ditë përrallash, por për ne ka qëlluar një ditë ku kemi pasur disa zhvillime pozitive për vendin. Kështu do të jetë për mjekët, infermierët, mësuesit dhe ushtarakët. Në sektorin e shëndetësisë do të kemi rritjen më të lartë, 10%. Në arsim 7%, janë 4560 mjekë dhe 13765 infermierë dhe 35 mijë arsimtarë që do të përfitojnë këtë rritje. Do të kemi një rritje për sektorin e mbrojtjes në një masë që do të variojë sipas kategorive 5-7%”,- përfundoi Rama./Periskopi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *