Banorët e komunës së Obiliqit kërcënohen nga mjedisi i ndotur, kjo po ndikon që çdo vit të rritet numri i të prekurve me sëmundje të ndryshme që përkeqësojnë shëndetin, por edhe shkaktojnë vdekje të menjëhershme.
Lajmi.net ka kontaktuar me Drejtorin e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Komunës se Obiliqit, Ibish Mjekiqi i cili ka thënë se numri i pacientëve të prekur me sëmundjen e frymëmarrjes, në këtë komunë, është rritur në krahasim me vitin e kaluar.
“Numri i pacientëve me sëmundje të frymëmarrjes në komunën tonë është 30% më i lart në krahasim me komunat tjera, kjo është për shkak të mjedisit më të ndotur që ka komuna jonë në krahasim me komunat tjera”, ka thënë ai.
Sipas Mjekiqit, në vitin 2016 kanë qenë 487 raste kronike me probleme shëndetësore të frymëmarrjes prej tyre 10 raste të reja, për këtë periudhë të këtij viti numri i pacientëve me sëmundje të frymëmarrjes është i rritur edhe për 20 raste të reja.
“Vitin e kaluar (2016) i kemi pas 487 raste kronike me probleme shëndetësore të frymëmarrjes prej tyre 10 raste të reja,për këtë periudhë të këtij viti numri I pacientëve me sëmundje të frymëmarrjes është i rritur edhe për 20 raste të reja”, deklaroi ai.
Komuna e Obiliqit ka buxhet të vogël sa i përket menaxhimit të kësaj situate dhe krejt çka mundur të bëjë është të mbjell drunj, asgjë më shumë.
“Komuna ka një buxhet të vogël për këtë qëllim por ne kemi mbjellë një numër të konsiderueshëm të drunjve që do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit”, është shprehur ai.
Ndotësi kryesor mbetet KEK-u, më pas deponia regjionale e mbeturinave në Mirashë, infrastruktura e dobët dhe shumë indikatorë të tjerë.
“Ndotësi kryesor është operatori ekonomik KEK me të gjitha njësit e veta ,duke filluar nga elektranat, minierat etj. Deponia regjionale e mbeturinave në Mirashë,infrastruktura e dobët rrugore, ngrohja me qymyr etj”, ka thënë Mjekiqi. /Lajmi.net/