Në Klinikën Infektive vetëm gjatë këtij muaji janë paraqitur 37 raste të pickimit të rriqrave. Më së shumti raste janë nga Prishtina, ndërsa ka edhe nga Malisheva, Drenasi e Podujeva. Në Infektivë po trajtohet edhe një pacient nga gripi i tipit A, i cili është në gjendje stabile
Drejtori i Klinikës Infektive Dr. Hamdi Ramadani, ka bërë të ditur se në fillimin e sezonit të pickimit të rriqrave, vetëm në muajin maj janë paraqitur 37 raste. “Nga 1 maji deri më sot janë regjistruar 37 raste të pickimit të rriqrave të cilët kanë marr shërbime ambulantore. Dominon Prishtina me 23 raste, 4 nga Malisheva, Drenasi dhe Podujeva me nga 2 raste dhe disa komuna tjera”, ka deklaruar Ramadani, shkruan Gazeta Shneta.
Ai ka shpjeguar për qytetarët rrezikun nga mosintervenimi i duhur në rastet e pickimit të rriqrave.
“Nëse rriqrat janë infektive dhe nuk intervenohet, nuk hiqet, nuk pastrohet dhe nuk dezinfektohet mundësia do të jetë shumë e madhe që të zhvillohet sëmundja e etheve hemorragjike e cila është mjaft serioze, akute dhe me gjakderdhje dhe mund ta ndërlikojë situatën në aparatin aspirator me pneumoni dhe të vijë deri te vdekshmëria”, ka shpjeguar Ramadani.
Në Infektivë nga viti 2014 deri më sot nuk është shënuar ndonjë rast vdekje nga kjo sëmundje. Ramadani thotë se ky është rezultat i punës së madhe që është bërë nga mjekësia primare, instituti kombëtar dhe klinika infektive.
Drejtori i Infektivës ka treguar se këtë vit janë vetëm 10 raste me fruth. Një pacient po vazhdon të trajtohet nga kjo sëmundje në Infektivë. Ramadani ka thënë ky pacient është me temperaturë, por gjendja e tij është e mirë dhe më së largu pritet të lirohet të hënën.
Infektologu po konsideron se epidemia e fruthit nuk do të rikthehet në Kosovë për një periudhë deri në 6-7 vite pasi kjo sëmundje tashmë ka kaluar nga viti 2017-18 dhe është bërë imunizimi maksimal i rasteve në kalendar por edhe atyre jashtë kalendarit. /Gazeta Shneta/