“S’ka pas kurrgjë më të rëndë për mu se kur më ka thanë burri që po martohet, e s’ka pas kurrgjë më të mirë kur çikën e tij e kam kapë në duar të mijat”
Në të kaluarën, në shoqërinë shqiptare nëse një qift nuk ka pasur fëmijë, burri ose e ka “lëshuar” gruan, pra është ndarë nga ajo, ose në raste tjera gruaja ka qenë e detyruar të pranojë një martesë poligame, martesë kjo pra me një grua të dytë.
Përderisa sot jemi në shekullin e XXI. duket se pak kanë ndryshuar gjërat për këtë lloj martese, pasi gratë që nuk kanë fëmijë, ende paragjykohen dhe atakohen nga shoqëria jonë e poashtu nënvlerësohen dhe injorohen, duke e parë atë si të “huajën”, vetëm e vetëm sepse nuk sjell një pasardhës.
Ka qindra raste edhe sot nëpër Kosovë, ku gratë të cilat nuk lindin fëmijë detyrohen me u kthye në ‘shtëpinë e babës’, në kuptimin që konsiderohen si shterpë, dhe tashmë edhe vejusha. Këto gra etiketohen, dhe zakonisht për ato, familjarët kërkojnë raste tjera për martesë, ku sipas të gjitha gjasave burri ose del të jetë shumë më i vjetër, ose ndonjëri i cila ka ‘lëshuar’ gruan e tij, apo i ka vdekur.
Nuk është e gjitha, siç e përmendëm në fillim, ka raste kur gruaja e cila nuk lind fëmijë, nuk kthehet fare tek shtëpia e babës, por bëhet me ‘ortake’. Burri i martohet, dhe të dy gratë flenë në një shtëpi. Atëherë burri vendosë t’i ndajë netët e tij me të dyja gratë, ku përparësi dhe më e privilegjuar është gruaja e re, tek e cila janë të gjitha shpresat për pasardhës.
Gruaja M.L. rrëfen historinë e saj si ortake:
“I kam 25 vjet me burrin tim, Zoti deshi e na nuk patëm fëmijë. Një natë, ai pasi kish fol me nënën e tij e motrat, po vjen në dhomë e po më thotë se ka vendosë mu martua. Këmbët më lëshuan, e mu terr krejt. Ai mu afrua edhe më tha se unë jam kanë gruaja që ai e ka dashtë gjithë jetën, e nuk kish dashtë që unë me dalë prej shpije. Me ndejt edhe unë aty, e unë e kam pranua me qejf. Më mirë s’muj me gjetë, e as te baba njeri s’ka ku shkon. Vëllezërit janë vjetrua, e fëmijët e vëllezërve janë martu gati. Thashë sa më martojnë me naj plak, po rri me burrin tem që ja kom dhanë rininë e jetën”.
Trishtimi i një interviste të tillë, nuk është i kapërcyeshëm lehtë. Shtoja kësaj rrëfimin për ‘ortaken’, që më vonë do t’i lindte burrit që kjo dashuronte një vajzë.
“Ja kishin gjet një çikë, 38 vjet, kurrë s’ish kanë e martuar, veç e fejuar njëherë, po ish kanë nda se ai kish ikë në Gjermani. Ajo i kish thanë po menjëherë, edhe shumë shpejtë më tha burri se po martohen. S’po e zgjasin hiç, koha po shkon, e burri veç i kish bë 40 vjet. U martuan për dy javë, e atë natë mu më çuan te familja jem. Shpirti dojke me më dalë prej venit. Dikush ma kish zanë shtratin, e ma kish marrë burrin. I madh e i vogël atë ditë kanë kajtë e kanë kajtë. Krejt akrabaja çka kam unë e çka ka burri zë prej oje s’kanë qitë. Si me pas vdekë najkush. U ktheva të nesërmen në shpi, e kama nuk jem shkojke edhe dy hapa, dolën kunatat me më fol, po s’kish kurrgjë në këtë dynja që e ndalte vajin e tyre, e as temin. Dul ‘nusja’, më mori ngryk e lot nisën me i shku faqeve. Çka me ba, asnjëra s’kishim faj, po faj s’kish as burri. Unë s’mujta m’i ba fëmijë, e kjo ja bëri.”
Thonë që: “kur gruaja lind fëmijë ka futur rrënjët në shtëpinë e burrit”, pra fiton dashurinë e familjes së burrit, dashuri kjo që është akoma më e madhe nëse fëmija i takon gjinisë mashkullore, atëherë, lëri të tjerët, por edhe trajtimi i burrit ndaj gruas është i veçantë sepse e ke bërë të ndihet krenar se ai është “burrë”. Do të thotë fjala e urtë ka bazë sidomos në shoqërinë tonë patriarkale, që është mjaft diskriminuese për gratë.
“Ajo mbeti shtatzëne menjëherë, u gëzuan e u shastisen krejt, e dita ditës harruan ma se unë ekzistoj. Veç burri jem jo, ai vinte në dhomën tonë, e shtrike kryet në prehrin tem e niske me kajtë, pa e ba asnjë zë e pa e thanë asnjë fjalë. Pasi ajo mbeti shtatzënë, ai nisi me ardhë më shpesh në dhomën teme, e dikur e bëri me rend: një natë te unë, një natë te ajo. Shkoj koha, e ajo e bëri një çikë, të mirë si drita. Ajo engjëllush u bë edhe gëzimi jem në atë shpi, e nisa me ndje sikur është çika jem. Edhe mua po më thotë nanë. S’ka pasë kurrgjë më të rëndë për mu se kur më ka thanë burri që po martohet, e s’ka pasë kurrgjë më të mirë kur çikën e tij e kam kapë në duar të mijat.”
Vitet kanë kaluar, dhe shoqëria kosovare ende vazhdon ta konsiderojë gruan veç për pjellorinë e saj, në të kundërtën vlera e saj është zero. Si rasti që intervistuam, në të njëjtin fshat, dhe të njëjtën lagje, ishin edhe dy të tjera, ndërkaq vetëdijesimi se poligamia është e jashtëligjshme ende qëllon të jetë i cunguar.
Por, sado që edhe ligjet të jenë afirmative, pak luajnë rol ose fare. Mentaliteti ende funksionon me kanun dhe traditë, sado shtypëse dhe vrastare që janë. /Revista Barazia