Komisioni Përzgjedhës për konkursin për drejtorë të spitaleve të përgjithshme dhe klinika të QKUK-së, ka publikuar rezultatet e testit me shkrim për Spitalin e Pejës, Ferizajt, Klinikën Infektive, Fiziatrisë, Biokimisë si dhe për Qendrën e Mjekësisë së Punës dhe atë të Mjekësisë Sportive.
Komisioni në përbërje të Dr. Fakir Spahiut, Dr. Skender Kandic e Dr. Fatime Kokollari, kanë poentuar me 68 pikë kandidatin Skender Dreshaj për drejtor të Spitalit të Pejës. Dreshaj do të shkojë i vetëm në intervistën me gojë, pasi tre kundërkandidatët e tij nuk kanë arritur të marrin më shumë se 50 pikë, shkruan Gazeta Shneta.
Edhe Jeton Zeqiri, kandidat për drejtor të Spitalit të Ferizajt, nuk do të sfidohet në intervistën me gojë pasi ka marr 70 pikë, ndërsa një kundërkandidate e tij ka rezultuar me vetëm 44. Dy të tjerë kanë abstenuar nga testi me shkrim.
Intervista me gojë do të mbahet me vetëm nga një kandidatë edhe për tri klinika të QKUK-së. Për udhëheqjen e Klinikës Infektive kanë kandiduar fillimisht tre kandidatë, por në testin me shkrim kanë abstenuar dy prej tyre. Dr. Hamdi Ramadani i cili ka udhëhequr këtë klinikë deri më tani, ka fituar 70 pikë nga testi.
Doktoresha Hajrije Hundozi-Hysenaj poashtu do të shkojë e vetme në intervistë për klinikën të cilën e ka drejtuar deri më tani, atë të Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim dhe Mjekësi Sportive. Hysenaj ka marr 79 pikë në testin me shkrim. 72 pikë i ka marr edhe Dr. Shemsi Veseli në konkursin për drejtor të Klinikës së Biokimisë Mjekësore. Theksojmë se Veseli është edhe anëtar i Bordit Drejtues të SHSKUK-së.
Rezultatet e testit janë publikuar edhe për Qendrën Kombëtare të Mjekësisë së Punës në Gjakovë. Shpejtim Skivjani ka marr 64 pikë dhe do të intervistohet si kandidatë i vetëm. Ndërsa garë më e ngushtë do të zhvillohet për Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive në Prishtinë. Testim me shkrim për këtë Qendër e kanë kaluar katër kandidatë. Adem Nura me 74 pikë, Afrim Shabani me 71, Gëzim Murseli 61 si dhe Sheklzen Rexhaj me 57 pikë. Të katërt do të intervistohen sërish nga Komisioni Përzgjedhës. /Gazeta Shneta/