Salla e operacioneve në repartin e Kirurgjisë të Spitalit Rajonal të Ferizajt është jashtë funksionit që nga e shtuna, për shkak të shiut, i cili depërtojë nëpërmjet tavanit dhe dëmtoi mjetet që ndodheshin atye, njofton TV Tema.
Kryeinfermieri i këtij reparti, Enis Shabani, ka thënë se shiu ka përfshirë tri depot kryesore të këtij Spitali, duke dëmtuar një numër të madh të materialit për pacientët.
Ndërkaq, sipas Shabanit, ajo që po u shkakton më së shumti problem në punën e tyre është aparatura e sterilizimin, të cilën e ka përfshirë uji. Ai shpreson se ekipet e specializuara do ta rregullojnë këtë punë.
Për vlerësimin e këtyre dëmeve të shkaktuara në Spitalin e Ferizajt, është themeluar një komision mbikqyrës, të cilët premtuan se do të bëjnë një raport në lidhje me këtë.
Drejtori i këtij spitali, Bejtush Jaha, tha se gjendja e krijuar këto ditë shprehë më së miri nevojën e ndërtimit të spitalit të ri dhe u bën thirrje institucioneve përkatëse që sa më shpejtë t’i fillojnë procedurat për fillimin e ndërtimit të spitalit në plan.
Dëme janë shkaktuar edhe në repartin e Gjinekologjisë, e drejtues të këtij institucioni vlerësojnë se dëmet arrijnë shumën e 3.000 eurove.