Vakti i mëngjesit ka të njëjtën rëndësi si tek të rriturit, ashtu edhe tek bebet. Ai e furnizon organizmin e bebit me kaloritë e nevojshme për të rifilluar punën. Edhe nëse e keni ushqyer bebin në mes të natës me siguri që ai i ka harxhuar të gjitha resurset deri në mëngjes. Këto receta gatimi janë ato për të cilat bebi juaj ka nevojë në mëngjes.
Pure me perime
E vetmja gjë që do t’ju duhet për këtë recetë janë disa perime si patatja, bizelja apo karrota dhe pak ujë. I zieni perimet deri sa të zbuten dhe ma pas i bëni pure. Perimet janë të pasura me vlera ushqyese për të cilat bebi ka nevojë.
Pure me fruta
Është ekuivalenti i puresë me perime vetëm se përmban fruta të freskëta. Ju nevojiten disa fruta si mollë, dardhë, banane dhe pak ujë. Pureja me fruta është e shkëqyer për vaktin e parë të ditës se bebit tuaj. Filloni duke i qëruar dhe copëtuar frutat e më pas mund t’i kaloni në blendër dhe t’i shtoni pak ujë nëse është e nevojshme.
Qull me oriz e banane
Qulli është një ushqim i shëndetshëm për të rriturit por dhe për bebet. Një qull i zakonshëm bëhet me qumësht lope por meqënëse po e përgatisim për bebet ju mund ta bëni me qumësht gjiri apo formule.
Përbërësit
⦁ 1 filxhan oriz
⦁ 1 banane e prerë në copa
⦁ 3 filxhan uji
⦁ 1 filxhan me qumësht gjiri apo formule
Përgatitja
- Filloni duke zierë orizin deri sa të zbutet.
- Pasi orizi të jetë gatuar shtoni në të njëjtën tenxhere me orizin, bananen dhe qumëshin e gjirit apo të formulës dhe i përzieni për 3-4 minuta deri sa bananet të jenë tretur plotësisht dhe nëse ka nevojë mund t’i shtoni dhe pak ujë e ta lini të ziejë për 2-3 minuta të tjera.
- Më pas lëreni vetëm të ftohet dhe e keni gati.