Konkursi i hapur në Ministrinë e Shëndetësisë duket se ka diskriminuar Specialistët e Psikologjisë Klinike.
Të paktën kështu thonë ata në një reagim të tyre, për Klan Kosova.
Përfaqësuesi i Specialistëve të Psikologjisë Klinike, Imri Zabeli pohon se në konkursin e fundit ku Ministria e Shëndetësisë kërkonte për të punësuar vetëm mjek, nuk ishin përfshirë ata të fushës së psikologjisë.
”Ne nuk na përfshinë fare në konkursin e punësimit të specialistëve”, është shprehur Zabeli për Klan Kosova.
Tutje ai shton se kjo u bë me arsyetimin se Ministria e Shëndetësisë përfshiu në konkursin e fundit vetëm fushat deficitare derisa kuadri i Specialistit Psikolog Klinik është pikërisht kuadër që mungon në Institucionet Shëndetësore Publike.
Veç tjerash Zabeli thotë se i takojnë gjeneratës së parë të specialistëve në këtë fushë e reagimi i tyre vie pasi në KLINIKAT e SHSUK-së dhe QENDRAT E SHËNDETIT MENDOR ka mungesë të psikologëve.
”Ne jemi gjenerata e parë e specialistëve nga kjo fushë e në Institucionet Publike Shëndetësore nuk ka specialist të Psikologjisë Klinike” përfundon ai.
Ndërkohë Imri Zabeli thotë se kanë kontaktuar më Ministrinë e Shëndetësisë por që ata kanë dhënë përgjigje se ka qenë kërkesa e SHSUK për një konkurs të tillë të hapur.
Ndryshe në 80% të Klinikave dhe Qendrave të Shëndetit Mendor në vend nuk ka psikolog, njofton Klan Kosova.
Si Përfaqësues i Specialistëve të Psikologjisë Klinike, Imri Zabeli përfundon reagimin e tij duke shpresuar që në konkurset në vazhdimësi të mos anashkalohen përsëri./Gazeta Express/