Ndërmarrja “Ngushllimi” ka reaguar në lidhje me shkrimin e Gazetës Shneta “Skandal: Pazari me kufoma nga mjekët, motrat dhe sigurimi në QKUK”.
Blerim Nreci nga kjo ndërmarrje në një letër të dërguar në adresë të Gazetës, thotë se qëllimisht po linçohet nga konkurrentët për përfitime personale.
Nreci thotë se transportin e kufomave nga QKUK-ja e kanë punë dytësore, por e pranon se ka bërë reklamë në QKUK për biznesin e tij.
“Ne si ndërmarrje operojmë në NURENBERG të Gjermanisë ku bëjmë bartjen e kufomave nga e gjithë Evropa për në vendlindje dhe se bartjen e kufomave nga QKUK e kemi pune plotësisht dytësore, ne kemi bërë reklamacion si çdo biznes privat por asnjëherë nuk kemi dhënë asnjë mjet financiar për të perfituar nga vdekjet, madje jemi Ndërmarrja e vetme në Kosovë që për të gjitha rastet sociale të gjitha shërbimet i kryejmë falas”, thuhet në reagim.
“Konsiderojmë se nuk është e drejtë që të sulmohen bizneset nga deklaratat qëllimkëqija të konkurentëve dhe se të gjitha do të duhej të mirreshin me rezerva deri sa informatat apo deklaratat e kujtdo qoftë të verifikohen dhe konfirmohen”, theksohet tutje.
Redaksia e Gazetës Shneta sqaron ndërmarrjen “Ngushllimi” dhe opinionin se në asnjë moment qëllimi i këtij hulumtimi nuk ka qenë linçimi apo dëmtimi i një kompanie në përfitim të një tjetre.
Theksojmë poashtu se Gazeta nuk ka akuzuar ndërmarrjen “Ngushllimi” se iu jep ryshfet personelit të QKUK-së për ndërmjetësimin e transportit të kufomave. Në reagim mohohet dhënia e ryshfetit, por jo edhe lidhjet e kësaj ndërmarrje me personelin e QKUK-së.
Gazeta në hulumtimin e saj ka zbuluar lidhjet që ndërmarrja “Ngushllimi” ka me personelin e QKUK-së, duke përfshirë mjekët, infermieret dhe sigurimin. Të gjitha këto raste janë të regjistruara me incizime por që nuk janë publikuar për shkak të privatësisë.
Hulumtimi është nisur nga deklaratat e dy pronarëve të dy kompanive tjera të transportit, Armend Ahmeti dhe Fadil Sadiku dhe të cilat janë konfirmuar nga përgjigjet e mjekut, infermieres dhe sigurimit.
Këta të tre kanë konfirmuar lidhjet me ndërmarrjen “Ngushllimi”. Siç edhe është raportuar, infermierja insiston me çdo kusht që t’i përmendet emri si ndërmjetësuese e transportit. Deklaratat e infermieres janë të regjistruara.
Për fund, kujtojmë poashtu se është vet z. Blerim Nreci, i cili kërkon 50 euro për transport deri në Lipjan, jo më larg se 20 kilometra nga Prishtina. E çmimi real për këtë destinacion do të duhej të ishte 20 euro, pasi 1 km kushton 1 euro. Nreci poashtu kërkon 50 euro për tabut, derisa çmimi i tregut është 30 euro.
Më poshtë gjeni reagimin e plotë të ndërmarrjes “Ngushllimi”:
Reagim lidhur me shkrimin në disa portale vendore lidhur me Titullin “Pazar me Kufoma”
Pasi që në këtë shkrim jemi përmendur ne si ndërrmarje e cila merret me bartjen e kufomave, dëshirojmë të japim një sqarim lidhur me këtë çështje.
Ndërmarja “Ngushllimi” funksionon që nga viti 1995 dhe veprimtarinë kryesore të saj e ka bartjen e kufomave nga Evropa në Kosovë dhe anasjelltas.
Me përgjegjësi të plotë deklarojmë se deri më tani asnjëherë nuk kemi përdorur asnjë formë të ofrimit të shërbimeve tona për bartjen e kufomave e cila është përmendur nga portalet ose nga të dy deklaruesit që janë poashtu pronarë të kompanive private për bartjen e kufomave.
Ne si Kompani me përvojë shume vjeçare në këtë fushë, jo rrallë qëllimisht jemi etiketuar dhe jemi linçuar nga konkurentët tanë lidhur me punën që e bëjmë, mirëpo duhet pasur parasysh që ne jemi ndërrmarje private dhe për secilin lajm ishte dashur të kontaktohemi që ta pohojmë ose mohojmë lajmin e jo të merren për bazë deklaratat e konkurrentëve, ku mundohen që ta denigrojnë ndërmarrjen tonë për përfitime personale.
Ne si ndërmarrje operojmë në NURENBERG të Gjermanisë ku bëjmë bartjen e kufomave nga e gjithë Evropa për në vendlindje dhe se bartjen e kufomave nga QKUK e kemi pune plotësisht dytësore, ne kemi bërë reklamacion si çdo biznes privat por asnjëherë nuk kemi dhënë asnjë mjet financiar për të perfituar nga vdekjet, madje jemi Ndërmarrja e vetme në Kosovë që për të gjitha rastet sociale të gjitha shërbimet i kryejmë falas.
Konsiderojmë se nuk është e drejtë që të sulmohen bizneset nga deklaratat qëllimkëqija të konkurentëve dhe se të gjitha do të duhej të mirreshin me rezerva deri sa informatat apo deklaratat e kujtdo qoftë të verifikohen dhe konfirmohen.
Ne si Ndërmarje kemi kontaktuar me avokatët tanë me qëllim që të iniciohen procedurat e mëtutjeshme ligjore për dëmtim të imazhit të biznesit me të cilin operojmë.