Në vitin 2011, Bislim Morina, e martoi vajzën Antigonën me shkues (mësit). Por, martesa e saj me Hilmi Zenën nga fshati Malësi e Vogël, zgjati vetëm tri ditë. Sipas Prokurorisë, ajo vdiq si pasojë e gjakderdhjes që kishte pasur nga organet gjenitale, mbrëmjen e parë të martesës, në shtëpinë e burrit të saj ku kishte qëndruar mes datave 27, 28, 29 korrik të vitit 2011.
Familja e së ndjerës në vazhdimësi po e akuzon ish-dhëndrin Hilmi Zena nga fshati Malësi e Vogël (ish-Radost), për vrasjen e së bijës. Ata po thonë se dhëndri bëri marrëdhënie seksuale me Antigonën, derisa ajo ishte në gjendje të keqe shëndetësore dhe kishte gjakderdhje të vazhdueshme. Gjykata fillimisht këtë rast e kishte cilësuar si të mbyllur, por pas plot 6 viteve, Apeli e ka kthyer rastin në rigjykim.
Kështu është bërë e ditur gjatë ditës së sotme nga ana e Rrjetit të Grave të Kosovës.
“Gjykata e Apelit ka vendosur që rastin e Antigona Morinës, gruas e cila ka vdekur gjashtë vjet më parë tri ditë pasi që ishte martuar ta kthejë në rigjykim”, thuhet në letrën e këtij grupi.
Për këtë rast është angazhuar avokatja Fehmije Gashi – Bytyqi, si përfaqësuese e familjes së dëmtuar të Bislim Morinës.
Seanca e ardhshme për këtë rast është caktuar më datë 4 qershor. Por avokatja e familjes Morina ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Gjakovës që të bëjë përjashtimin e gjyqtarit Mizahir Shabani nga udhëheqja penale kundër Hilmi Zenës.
“Kërkesa bazohet në dyshimet e arsyeshme në mosobjektivitetin dhe paanshmërinë që ka shkaktuar gjyqtari në lidhje me rastin”, thuhet në një njoftim nga Rrjeti i Grave të Kosovës.
E për këtë rast, nga familja e së ndjerës Antigona Morina, muaj më parë kishin deklaruar për Gazetën Express, se ish-dhëndri, Hilmi Zena nga fshati Malësi e Vogël (ish-Radost), ua vrau të bijën. Ata kanë deklaruar se dhëndri bëri marrëdhënie seksuale me Antigonën, derisa ajo ishte në gjendje të keqe shëndetësore dhe kishte gjakderdhje të vazhdueshme.
Por nga familja e të akuzuarit, Hilmiut, i kishin thënë Gazetës, se kjo punë është sqaruar para shumë viteve. Lidhur me këtë sipas tyre gjykata e kishte dhënë vendimin.
“Ne nuk kemi çfarë të bëjmë më. Dihet se kush është fajtori. Fajtori është prindi i saj i cili nuk e ka këqyrë më së pari te mjeku, me e këqyrë më së pari për problemet që i ka pasë vajza. Unë dy vjet e gjysmë kam punuar në Austri në të zezën për këtë punë, me e martua vëllanë. 24 mijë euro më ka kushtuar e gjithë dasma. E pastaj ne me u kthy e me i bo këto vepra kjo është marri. I kemi pa deklaratat e fundit të familjes së vajzës. Kjo është marri se çka kanë ba ata. Ai pas 6 vjetëve këqyrë me nxjerrë përfitime, pare. Këtu krejt në pyetje janë paret”, i kishte thënë Expressit vëllai i Hilmiut.
Antigona Morina kishte ndërruar jetë më 28 korrik, katër ditë pas martesës së saj me Hilmi Zenën. Sipas prokurorisë ajo kishte ndërruar jetë pas gjakderdhjeve që i ka pasur nga organet gjenitale mbrëmjen e parë të martesës në shtëpinë e burrit të saj në fshatin Malësi e Vogël, mes datave 25, 26 dhe 27.07.2011. /G.H/GazetaExpress/