Numri i personave të prekur nga fruthi, të cilat kanë marrë trajtim mjekësor në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është 200 që nga Janari i këtij viti.
Ndërkaq, 138 prej tyre kanë pasur ndërlikime të ndryshme në frymëmarrje, dëmtim të zemrës, temperatura e simptoma të tjera, raporton KTV.
Vetëm tre persona për momentin janë duke u trajtuar në këtë klinikë, ku dy nga ta janë fëmijë dhe një i rritur.
Megjithëkëtë, sipas drejtorit të Klinikës infektive, Hamdi Ramadani, ky numër është në ulje, krahasuar me një vit paraprak, me ç’rast numri i personave me fruth ishte më shumë se një mijë.
Kosova vitin e kaluar e kishte shpallur epidemi nga fruthi dhe nuk ka arritur që për 1 vit ta izolojë përhapjen e tij. Kjo, sipas Ramadanit, ka ardhur si rezultat i mosvaksinimit me kohë.
Ndërkaq, sa i përket furnizimit me medikamente të nevojshme për trajtim të fruthit, Ramadani thotë se kanë pasur në dispozicion sasi të mjaftueshme të tyre.