Shintigrafia e Miokardit me SPECT, një ekzaminim i rëndësishëm në diagnostikimin e stratifikimin e rrezikut të sëmundjes koronare dhe në vlerësimin e viabilitetit miokardial, mund të realizohet tani e tutje edhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, njofton Shëndeti.
Një ekzaminim i tillë u rekomandohet si ekzaminim fillestar pacientëve me dhimbje gjoksi, të cilët kanë EKG të painterpretueshme, si dhe për vlerësimin e viabilitetit miokardial.
Në studimet e kryera në mbarë botën është parë që Shintigrafia e Miokardit rrit ndjeshëm saktësinë diagnostike e prognostike të variablave klinike e të EKG-së ushtrimore.
Shintigrafia e Miokardit me SPECT është një test funksional me sensitivitet të lartë në diagnostikimin e sëmundjes koronare. Ndër testet imazherike funksionale, rolin kryesor e luajnë Stress-Ekokardiografia dhe Shintigrafia e miokardit me SPECT (Single Positron Emission Computed Tomography), të cilat vlerësojnë përkatësisht anomalitë e kinetikës dhe perfuzionin e miokardit si tregues të sëmundjes koronare.
Sëmundja e arterieve koronare është një ndër shkaqet kryesore të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në botë. Ajo ka marrë përmasa endemike me një impakt të rëndësishëm në kostot e kujdesit shëndetësor.
Identifikimi i hershëm i pacientëve me sëmundje të arterieve koronare ndihmon në reduktimin e shpenzimeve të kujdesit shëndetësor, si dhe në uljen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë.
Testet jo invazive janë të rëndësishme, nga njëra anë për të përjashtuar sëmundjen koronare me siguri të lartë dhe nga ana tjetër për të zbuluar pasojat e saj hemodinamike që në stadet e hershme, duke bërë të mundur menaxhimin optimal të pacientëve kardiakë.