QKUK reagon ashpër ndaj Kojcicit: Ofendoi Kardiokirurgjinë dhe i bëri reklamë spitalit ku punon

2018-11-09 në ora 09:27

QKUK ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kardiokirurgut Besnik Kojcici, i cili në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Radiologjisë duke folur për mangësitë e sistemit shëndetësor në Kosovë tha se ka ndodhur që pacientët me disekcion të aortës kanë pritur në Emergjencë deri në 5-6 orë. QKUK i ka quajtur këto deklarata ofendime dhe reklamë e spitalit ku punon Kojcici

Gjatë ditës së djeshme në Telemjekësinë e Kosovës në QKUK është shënuar Dita Ndërkombëtare e Radiologjisë e cila iu kushtua imazherisë së zemrës. Në këtë organizim prezantoi edhe kardiokirurgu Besnik Kojcici i cili punon në njërin nga spitalet private në Prishtinë.

Kojcici foli për disekcionet e aortës si një nga patologjitë me rrezikshmërinë më të lartë për pacientët. Duke folur për faktorët e rrezikut tek kjo sëmundje, kardiokirurgu tha se Kosova ka mangësi organizative për t’i trajtuar këta pacientë. “Problemi është se derisa vjen pacienti në QKUK, analiza, ekzaminime etj, prandaj kërkohet organizim më i mirë shëndetësor. Kemi pas raste kur kanë ardh familjarët dhe na kanë treguar se pacientët kanë qëndruar me 5-6 orë me disekcion të aortës në Emergjencë. Kjo është e patolerueshme”, ka deklaruar Kojcici, shkruan Gazeta Shneta.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar ashpër QKUK, e cila e konsideron si nënçmim, përulje e përqeshje pa fakte dhe argumente ndaj Klinikës së Kardiokirurgjisë. “Dr. Besnik Kojçiçi ka bërë reklamë për spitalin privat ku punon  dhe ka përqeshur QKUK, duke dezinofrmuar opinionin se në QKUK rastet e disekcionit  të aortës  presin në emergjencë me orë të tëra”, thuhet në reagimin e QKUK-së.

QKUK tutje ka theksuar se Kardiokirurgjia me Kardiologji Invazive sivjet kanë filluar me shërbime 24-orëshe dhe janë kryer 2100 koronarografi, 1200 stentime dhe 750 infarkte akute.

“Poashtu, në QKUK kryhen edhe rastet e disekcionit të aortës si raste emergjente dhe kjo nuk po i konvenon spitalit ku punon z. Kojçiçi, sepse pacientët po marrin shërbimin në sektorin publik. Edhe nga deklarata e tij, shihet se në vitin 2017 dhe 2018 nuk kanë pasur raste te Aortes Disekante, ngase këto raste janë punuar në QKUK”, thuhet në reagimin e QKUK-së. /Gazeta Shneta/

Kojcici: Pacientët me disekcion të aortës janë lënë në Emergjencën e QKUK-së për 5-6 orë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *