QKUK dhe Instituti s’kanë diagnozë për punonjësit e KQZ-së, thonë se s’janë të helmuar

2019-10-15 në ora 12:29

Qendra Klinike Universitare dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik sot kanë mbajtur një konferencë për media lidhur me gjendjen e punonjësve të Komisionit Qendror Zgjedhor për të cilët dyshohej se janë helmuar nga votat me zarfe të ardhur nga Serbia.

QKUK dhe Instituti kanë deklaruar se nuk kanë diagnozë të caktuar për gjendjen e 12 pacientëve, por kanë përjashtuar mundësinë e agjentëve infektivë, shkruan Gazeta Shneta.

“Nuk ka diagnozë për sëmundjet ngjitëse. Pacientët janë në observim për t’u bërë të gjitha analizat e mundshme dhe për të izoluar të gjithë agjentet infektiv që kanë mundur të gjenden. Në rezultatet laboratorike nuk është izoluar ndonjë agjent infektiv”, ka deklaruar drejtori i Institutit Prof. Naser Ramadani.

Drejtoresha e Klinikës Infektive Dr. Lindita Ajazaj-Berisha ka thënë se gjendja e pacientëve është e mirë dhe brenda 24 orëve pritet të lirohen nga spitali.

“Pacientët kanë pas kruarje të duarve ndërsa disa prej tyre kanë pas edhe mundim dhe vjellje dhe disa skuqje të fytyrës. Për shkak të mundësisë së ndonjë agjenti infektiv është dashur të pranohen në Infektivë. Në momentin që janë pranuar rezultatet e analizave që kanë përjashtuar këtë mundësi, atëherë do të lirohen”, ka deklaruar Ajazaj-Berisha. /Gazeta Shneta/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *