Qeveria: Ligji për Pagat deri në shtator – Sindikata kërkon koeficientin 7

2018-07-06 në ora 12:08

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka deklaruar se Ligji i ri për Pagat do të kalojë më së voni në shtator, ndërsa Federata e Sindikatave të Shëndetësisë kanë deklaruar se nuk do ta pranojnë koeficientin 4

Para tri jave Federata e Sindikatave të Shëndetësisë doli me një konferencë për media duke paralajmëruar Qeverinë se nëse nuk procedohet projektligji deri në fund të qershorit, shëndetësia do të pësojë kolaps. Madje kërkuan që projektligji të shkojë bashkë me draftin e pandryshuar sipas kërkesave të tyre që koeficienti i mjekut specialist të jetë shtatë.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në një përgjigje për Gazeta Shneta ka deklaruar se ky ligj është në fazën finale të përgatitjes dhe po punohet me të gjitha palët e përfshira.

“Kryeministri Haradinaj disa herë ka pritë në takim sindikalistet shëndetësor për të diskutuar për kërkesat e tyre dhe është thënë që përmes ligjit do të kategorizohen edhe pagat, varësisht nga shkollimi dhe koeficienti i punës”, thuhet në përgjigje.

Ministria e Administratës Publike në dëgjimet publike për ligjin e ri, ka vendosur koeficientin 4.0 për mjekët specialistë. Zyra e Kryeministrit deklaron se për zgjidhjen më të mirë për punëtorët shëndetësor, do të merren për bazë edhe modelet e vendeve të rajonit. Ndërsa votimi i projektligjit në Qeveri mund të mos ndodh deri në shtator, përkundër paralajmërimeve të sindikalistëve. “Ligji për Pagat më së voni në shtator do të kalojë në Qeveri”, është thënë në përgjigje.

Por ndryshe pret kryetari i FSSHK-së, Dr. Blerim Syla. Ai thotë se projektligji do të shkojë në Qeveri më së largu brenda 10 ditësh dhe se këtë kohë do ta shfrytëzojnë për negociata për të arritur realizimin e kërkesave të tyre.

“Ne nuk e pranojmë rangimin në këtë formë. Ata kanë kërkuar 5 deri në 10 ditë kohë dhe ne do t’i shfrytëzojmë për negociata. Por kurrsesi nuk e pranojmë këtë rangim. Javën e ardhshme do të takojmë kërkim me ministrin e Shëndetësisë dhe ashtu siç kemi than ne do të hyjmë me masa radikale nëse nuk pranohen kërkesat tona”, ka deklaruar Syla.

Sipas tij, sindikatat tjera po mundohen të bëjnë pazare në kurriz të mjekëve dhe partitë politike po e shfrytëzojnë këtë për interesa të votave.

“Sindikatat dhe punëtorët tjerë mos të bëjnë pazare në kurriz tonin. As partitë politike mos të bëjnë pazare për vota në kurriz tonin sepse ne nuk do ta pranojmë. Ne kemi kërkuar koeficient 7 dhe pastaj kategorizimin”, ka përfunduar Syla.

Sipas draftit të propozuar nga Grupi Punues për Ligjin e ri për Pagat, mjekët me koeficient 4 do të marrin rrogë 965 euro, ndërsa infermieret rreth 460 euro. Ndërsa nëse plotësohet kërkesa me koeficient 7, mjekët do të realizonin pagë mujore mbi 1600 euro. /Gazeta Shneta/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *