Projekti i dixhitalizimit të parkingut në QKUK ka rezultuar të jetë i suksesshëm, ndonëse në fillim pati telashe rreth adaptimit të stafit me kartela si dhe pagesat e vizitorëve.
Dixhitalizimi ka arritur të shmangë tollovitë brenda rrugëve në QKUK, ku bllokoheshin edhe ambulancat me pacientë.
Poashtu është ulur mundësia e keqpërdorimit me pagesa, pasi paratë nuk jepen më në hyrje me një kupon të thjeshtë, por pagesa bëhet në dalje dhe kostoja llogaritet varësisht nga koha e qëndrimit të veturës.
Kurse punëtorët e QKUK-së përmes kartelave individuale hyjnë në parking pa pagesë.
Por keqpërdorimet kanë vazhduar edhe pas dixhitalizimit, por jo për kohë të gjatë. Disa punëtorë, kryesisht të Shërbimeve Teknike në QKUK, ua kanë huazuar kartelat e tyre, familjarëve e madje edhe taksistëve.
“Janë bllokuar disa kartela të cilat janë keqpërdorur nga disa punëtorë të QKUK-së. Janë zënë duke ua dhënë kartelat taksistëve për hyrje-dalje pa pagesë”, ka treguar një burim për Gazeta Shneta.
Se kartelat janë bllokuar e ka konfirmuar edhe menaxheri i projektit të parkingut dixhital, Faton Hajzeraj.
Ai ka thënë se Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së, i ka bllokuar 15 kartela pas konfirmimit për keqpërdorimin e tyre.
“Ne vazhdimisht i monitorojna hyrje-daljet e punëtorëve të QKUK-së. Nëse vërejna keqpërdorime, i raportojna tek Zyra e Drejtorit”.
“I kemi konstatuar 15 raste të keqpërdorimit të kartelave pasi janë bërë më shumë se 4-5 hyrje dalje. Pas raportimit ato janë bllokuar nga drejtoria”, ka shtuar Hajzeraj.
Ai ka bërë të ditur se kartelat kryesisht i takojnë punëtorëve të Shërbimeve Teknike dhe administratës, por jo stafit mjekësorë.
“Është e mundur që këta punëtorë kanë pasur ndonjë rast specifik, por me një arsyetim nga drejtoria përkatëse, atëherë kartela lëshohet sërish”, është shprehur Hajzeraj. /Gazeta Shneta/