Hulumtuesit në Gjermani e kanë zhvilluar një mënyrë të re për të krijuar ilaçe kundër dhimbjes e cila mund të çojë në medikamente më të mira pa efekte të rrezikshme anësore.
Ekipi nga Charité Universitätsmedizin Berlin e përdori një simulim kompjuterik për t’i analizuar ndërveprimet e receptorëve opioide për ta krijuar një molekulë të ngjashme me morfinën.
Në testet laboratorike në të cilat u përdorën minjtë, molekulat e lehtësuan ndjeshëm dhimbjen në indet e inflamuara pa i prekur indet e shëndetshme përreth. Gjetjet sugjerojnë se prototipi mund të përdoret për ta reduktuar ose eliminuar dhimbjen pa efekte të rënda anësore si ato të lidhura me medikamentet opioide.
Opioidet janë një klasë e barnave kundër dhimbjes të përdorura për t’i trajtuar dhimbjet tek dëmtimi dhe inflamacioni i indeve të shkaktuara nga operacioni, dëmtimi nervor, artriti apo kanceri. Efektet anësore nga barnat opioide mund të përfshijnë marramendje, vjellje, kapsllëk dhe, në disa raste, varësi.
Varësia nga opioidet është rritur në përmasa epidemike në Shtetet e Bashkuara në vitet e fundit, si dhe në shumë vende të tjera.
“Duke i analizuar ndërveprimet receptorike ilaç-opioid në indet e dëmtuara, në krahasim me indet e shëndetshme, ne shpresonim të siguronim informacione të dobishme për dizajnimin e ilaçeve të reja kundër dhimbjes, pa efekte të dëmshme anësore,” tha dr. Christoph Stein, kreu i Departamentit të anesteziologjisë dhe Kujdesit Kritik Kirurgjikal në Charité Universitätsmedizin Berlin, në një njoftim për shtyp.
Hulumtuesit e identifikuan një rrugë të re për të prodhuar lehtësim nga dhimbja, pa efekte negative anësore duke e shënjestruar ilaçin vetëm në indin e prekur, dhe jo indin e shëndetshëm.
“Në kontrast me opioidet konvencionale, prototipi ynë NFEPP duket se vetëm lidhet dhe i aktivizon receptorët opioide në një mjedis acidik,” thanë dr. Viola Spahn dhe dr. Giovanna Del Vecchio, autorët e parë në studim, në një njoftim për shtyp, përcjell Koha.net. “Kjo do të thotë se ai shkakton lehtësim nga dhimbja vetëm në indet e dëmtuara, dhe pa shkaktuar depresion respiratorik, përgjumje, rrezik të varësisë apo kapsllëk.”
Studimi u publikua në Science.