Profesori tashmë i ndjerë Dr. Safet Beqiri kishte kryer një ndërhyrje tek një paciente në natën e parë të festës së ndërrimit të moteve në vitin 2010-2011. Operacioni ishte kryer në kirurgjinë e QKUK-së tek një paciente e cila ishte planifikuar të operohej në Gjermani ku kostoja ishte 40 mijë euro.
Por Beqiri meqë kishte ardhur në Kosovë, operacionin e kishte realizuar në QKUK duke e kursyer pacienten që të paguante shumën e parave, si dhe duke kryer kështu ndërhyrjen e parë në Ballkan të resektionit të trakes me qasje sternale, shkruan Gazeta Shneta.
Këto detaje i ndjeri i kishte treguar në një intervistë për revistën “Kujdesi shëndetësor” të QKMF-së disa muaj më vonë. “Në vitin 1988 e fitova bursën nga Akademia Gjermane për shkëmbim të jashtëm (DAAD) dhe më 1 tetor të po atij viti, fillova punën në Klinikën torakale të Universitetit të Heidelbergut te prof. Dr. Ingolf Vogt-Moykopf, një nga kirurgët torakal më të merituar në botë. Marrëdhëniet e mia me klinikat gjermane më tej kanë qenë permanente, me ndërprerje të shkurtra, varësisht nga situata në Kosovë. Nga viti 1992 isha në Klinikën e kirurgjisë torakale në Hamburg deri më 1995 kur vendosa të kthehem në Kosovë, meqë vërehej se ishim në prag të luftës. Në fund të vitit 2002 vendosa definitivisht të kaloj në marrëdhënie te rregullt pune në Gjermani, tani në Ëiesbaden. Aktualisht jam udhëheqës i repartit të onkologjisë torakale në klinikën Kerckhoff në Bad Nauheim, por asnjëherë nuk mund të shkëputem nga Kosova. Edhe kur jam këtu për pushime nëse është e nevojshme ju ndihmoj pacientëve, i mjekoj ose edhe i operoj (siç ishte rasti i Vitit te Ri 2011, kur për herë të parë në Ballkan bëra resektion të trakes me qasje sternale. Kjo paciente përndryshe do të duhej të vinte tek unë në Gjermani dhe operacioni i saj do të kushtonte 40 000 euro. Në këtë rast përveç përfitimit që pati pacientja, përfituan edhe kolegët e kirurgjisë torakale në Prishtinë, që patën rastin ta shohin një operacion që bëhet vetëm nëpër qendrat evropiane dhe në Amerikë”, kishte deklaruar Prof. Beqiri.
Intervistën e tij të plotë mund ta lexoni më poshtë:
INTERVISTË E PROF.DR.SAFET BEQIRIT PËR REVISTËN “KUJDESI SHËNDETËSOR” TË QKMF-SË – NËNTOR 2011
- shëndetësor: Doktor, ju i takoni gjeneratës së parë të mjekëve ferizajas të diplomuar në Universitetin e Prishtinës, a mund të na bëni një përmbledhje mbi kushtet në të cilat keni studiuar, duke përfshirë edhe vështirësitë nëpër të cilat keni kaluar, por edhe përparësitë e të qenit pjesëtar i gjeneratës së parë?
Dr. S. Beqiri: Për ata që janë të parët në një rrugë, është e natyrshme përballja me vështirësitë. Prandaj edhe për ne, kushtet e studimeve në atë kohë ishin mjaft të rënda, sepse, pjesën dërmuese të ligjëratave duhej dëgjuar në gjuhën serbe dhe provimet duhej dhënë poashtu në gjuhën serbe. Kjo gjendje vazhdoi deri në vitin 1974 kur Kosova fitoi statusin e një autonomie të zgjeruar dhe filluan të vinin profesorët eminentë nga Shqipëria, si: Prof. Gjergj Minga, Prof. Petrit Kokolari, Prof. Pëllumb Bitri e shumë e shumë të tjerë, nga të cilët mësuam jo vetëm mjekësinë, por edhe gjuhën shumë të ëmbël letrare shqipe. Nga zemra i falënderoj të gjithë mësuesit e mi.
- shëndetësor: Po për kohën kur keni filluar të punoni, çfarë mund të veçoni si më relevante?
Dr. S. Beqiri: Ferizaj në shtator të vitit 1978 nuk kishte asnjë mjek shqiptar. Të gjithë mjekët që punonin në Shtëpinë e Shëndetit ishin maqedonas, që udhëtonin çdo ditë nga Shkupi, ose serb vendas. Diku nga fundi i shtatorit apo fillimi i tetorit, dr. Ismet Abdullahu ishte i pari nga Ferizaj që diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Edhe pse nevojat e popullatës për mjekë, e aq më tepër mjek shqiptar, ishin tejet të mëdha, dr. Ismeti nuk u pranua menjëherë në Shtëpinë e Shëndetit, por, edhe kur u pranua pas disa javësh e dërguan në vaksinim në mënyrë që edhe më tutje pacientët të mos kishin mundësi të ekzaminoheshin nga një mjek shqiptar. Unë isha i dyti, nga Ferizaj, që diplomova në Prishtinë. Dita kur diplomova më kujtohet edhe sot, përveç që ishte datë historike, 28 nëntor 1978, ishte edhe ditë shumë e bukur. Duke i njohur prirjet e udhëheqjes së Shtëpisë së Shëndetit për të penguar depërtimin e mjekëve të rinj shqiptarë, menjëherë, ditën e diplomimit u paraqita në zyrën e drejtorit serb për të shqyrtuar mundësinë e fillimit të punës. Që në fillim mu bë e ditur se një gjë e tillë binte në kundërshtim me planet e udhëheqjes, por, unë isha shumë i vendosur, aq më tepër pasi isha bursist i Komunës së Ferizajt dhe në njëfarë mënyre isha i obliguar të punoja për qytetarët ferizajas. Pas një konflikti të ashpër verbal dhe paralajmërimit tim se këtë do të ngrihet në nivel të problemit politik, drejtori u pajtua që të filloja punën pa konkurs. Kështu më 1 dhjetor 1978, në ordinancën nr. 4 të Shtëpisë së Shëndetit në Ferizaj, fillova punën me pacientë. Ndjeja një gëzim të pa përshkruar që po e jetoja epilogun e një ëndrre të vjetër, prandaj, me gjithë numrin e madh të pacientëve (diku mes 120 gjer në 200 pacientë brenda ditës) puna për mua ishte kënaqësi. Për mua nuk kishte orar të caktuar, filloja herët në mëngjes dhe kur kryhej pacienti i fundit ishte fundi i orarit tim. Nga viti 1979 filluan te arrijnë edhe kolegët tjerë te cilët nuk kishin më nevojë për pritje të konkursit sepse akulli ishte thyer.
- shëndetësor: Na e përshkruani shkurtimisht rrugën tuaj drejt avancimit të mëtejmë profesional?
Dr. S. Beqiri: Në vitin 1979 u pranova në Fakultetin e Mjekësisë për studime specialistike në Kirurgjinë Torakale, por edhe me punë kalova në Prishtinë. Në atë kohë isha specializanti i parë nga Ferizaj, nga të diplomuarit në Prishtinë, mjeku i parë nga Ferizaj që kishin diplomuar në Prishtinë, ndërsa nga gjeneratat më të vjetra në spitalin e Prishtinës punonin vetëm dr. Zef Gjoni dhe dr. Nazim Ymeri, që të dy në Klinikën e Pediatrisë. Ashtu siç isha i etshëm për të eksploruar më tej nëpër të fshehtat e mjekësisë, fillova të punoj dhe të mësoj me pasion kirurgjinë torakale, isha i ri (24 vjeçar) dhe kisha ambicie të mëdha. Gjatë kësaj kohe shef i repartit ishte dr. Muharrem Gashi dhe kuadrot e reja ende mund të numëroheshin, mirëpo, aty kryhej një punë intensive. Përveç arritjeve të mia, synoja edhe tërheqjen e kolegëve të tjerë, mjekëve të rinj nga Ferizaj, për studime specialistike në Prishtinë. Ndërkohë, pas shumë përgatitjeve arrita të hap ambulancën kirurgjike në kuadër të Shtëpisë së shëndetit në Ferizaj, ku plaga a parë kirurgjike u zgjidh më 12 Qershor te vitit 1981. Punën në këtë ambulancë kirurgjike e bëja vullnetarisht, pa pagë, çdo ditë pas dite gjer në tetor 1982, kur ia dorëzova kolegëve të tjerë për ta vazhduar, dr.Ramadan Jashari, dr. Hysni Arifi etj., meqë duhej të vazhdoja specializimin në Slloveni ku isha kandidati i parë nga Kosova. Koha e kaluar në Lubjanë, është më e mira për mua, atje mësova shumë, shumë nga kolegët sllovenë, mësova edhe se mjekësia nuk ka kufij. Pas mbarimit të specializimit në Slloveni, provimi specialistik për Kirurgji Torakale në nivelin e Jugosllavisë mbahej vetëm në Beograd, prandaj qëndrova aty gjashtë muaj në Institutin për Sëmundje të Mushkërive dhe Kirurgji Torakale. Në prill të vitit 1984 me sukses të shkëlqyeshëm e kalova provimin specialistik para akademik Isidor Papo, kardiokirurgu më në zë i kohës.
- shëndetësor: Si është reflektuar në punën tuaj situata e rëndë politike nëpër të cilën kaloi Kosova?
Dr. S. Beqiri: Gjatë kësaj periudhe, angazhimi im profesional është shtrirë në Gjermani dhe Kosovë. Nga viti1990 pas rrënimit të institucioneve shëndetësore nga okupimi serb dy vite isha aktiv në themelimin e Shoqatës Nënë Tereza, shtrirjen e degëve të saj dhe formimin e shumë ambulancave në Kosovë dhe Maqedoni. Periudha kohore gjer në qershor të vitit 1999 ishte e përcjellë me mjaft rreziqe, sepse në njërën anë duhej kryer aktivitet profesional (puna me studentë, ushtrime, ligjërata, që mbaheshin nëpër bodrume, dhe puna shkencore ( me 1997) mbrojta disertacionin e doktoratës nga lëmia e kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Në mars, 1998, mjekuam në spitalin Nënë Tereza në Prishtinë ushtarin e parë të plagosur, të UÇK-së. Vazhduan pastaj lëvizjet e rregullta në zonën e Likocit, themelimi i spitalit të parë ushtarak, trajtimi i ushtarëve dhe popullatës civile, organizimi i shërbimit në nivel të Ferizajt etj. E gjithë kjo paraqiste rrezik për të gjithë ne, por, ishim të vendosur të vazhdonim gjer në fund.
- Shëndetësor: Çfarë mund të na thoni për hapat e mjekësisë dhe kirurgjisë kosovare në vitet e pasluftës, për aq kohë sa ishit këtu?
Dr. S. Beqiri: Me përfundimin e luftës shpresoja se zgjidhjet do të jenë më të mira. Në fakt, para se të shpërthente lufta, një luftë tjetër zhvillohej në Kosovë për formësimin e kuadrit të ri. Isha këmbëngulës në këtë periudhë, që sa më shumë kolegë të dërgoheshin në Tiranë. Ky qëllim u arrit dhe pas luftës i gjithë kuadri u kthye i përgatitur. Filloi puna në Qendrën Klinike Universitare e cila pas luftës administrohej nga anglezët dhe Prof. Dr. Redmond ishte drejtor. U bën shumë investime në emergjencë, por struktura e qendrës nuk ndërroi shumë në dy vitet e para. Pas kthimit tim nga Austria (Vjena) ku isha në një qëndrim katër mujor në kirurgjinë kardiotorakale, në vitin 2001 u zgjodha që ta udhëheqë QKUK-në. Ishte një angazhim i madh dhe një klimë shumë pozitive për punë. U vunë kontakte me klinika tjera ndërkombëtare, shumë projekte u realizuan dhe klinika u stabilizua dhe u pajis me dokumentacion.
- Shëndetësor: Po si u gjendët në Gjermani, na tregoni pak mbi punën që sot bëni atje, a e ndjeni se keni mundësi të jepni maksimumin e njohurive tuaja profesionale dhe kur do të mund ta bënit këtë edhe në Kosovë me të njëjtin intensitet?
Dr. S. Beqiri: Në vitin 1988 e fitova bursën nga Akademia Gjermane për shkëmbim të jashtëm (DAAD) dhe më 1 tetor të po atij viti, fillova punën në Klinikën torakale të Universitetit të Heidelbergut te prof. Dr. Ingolf Vogt-Moykopf, një nga kirurgët torakal më të merituar në botë. Marrëdhëniet e mia me klinikat gjermane më tej kanë qenë permanente, me ndërprerje të shkurtra, varësisht nga situata në Kosovë. Nga viti 1992 isha në Klinikën e kirurgjisë torakale në Hamburg deri më 1995 kur vendosa të kthehem në Kosovë, meqë vërehej se ishim në prag të luftës. Në fund të vitit 2002 vendosa definitivisht të kaloj në marrëdhënie te rregullt pune në Gjermani, tani në Wiesbaden. Aktualisht jam udhëheqës i repartit të onkologjisë torakale në klinikën Kerckhoff në Bad Nauheim, por asnjëherë nuk mund të shkëputem nga Kosova. Edhe kur jam këtu për pushime nëse është e nevojshme ju ndihmoj pacientëve, i mjekoj ose edhe i operoj (siç ishte rasti i Vitit te Ri 2011, kur për herë të parë në Ballkan bëra resektion të trakes me qasje sternale. Kjo paciente përndryshe do të duhej të vinte tek unë në Gjermani dhe operacioni i saj do të kushtonte 40 000 euro. Në këtë rast përveç përfitimit që pati pacientja, përfituan edhe kolegët e kirurgjisë torakale në Prishtinë, që patën rastin ta shohin një operacion që bëhet vetëm nëpër qendrat evropiane dhe në Amerikë.
- shëndetësor: Në cilin segment mendoni se duhet orientuar përpjekjet për avancimin e shëndetësisë kosovare?
Dr. S. Beqiri: Për avancimin e shëndetësisë kosovare nevojitet një strategji krejtësisht e re, duhet të formohen ekipe të forta profesionale të lëmenjve të ndryshëm, për çka unë besoj se Kosova ka kapacitete, por edhe nëse duhet mbështetje, duhen shfrytëzuar kapacitetet njerëzore që i ka në Perëndim.
- shëndetësor Për fund një porosi për mjekët e rinj?
Dr. S. Beqiri: Mjekët e rinj duhet të jenë të lumtur që aktivitetin e tyre e bëjnë në shtetin e tyre të lirë. Ata duhet sa me shumë të mësojnë gjuhë të huaja dhe të kontaktojnë me qendrat e ndryshme evropiane dhe botërore, që sot është një punë mjaft e lehte (përmes internetit). Përndryshe vetëm me punë dhe angazhim arrihet çdo gjë. Kjo që kam arritur unë nuk nënkupton ndonjë veti superiore timen, por është rezultat i një pune shumë të madhe. Prandaj, duhet shumë angazhim dhe pak gjumë.