Dy sëmundjet që ua kanë marr më së shumti jetën kosovarëve, janë problemet me zemër dhe kanceri.
Kështu thonë profesionistët shëndetësorë, ndonëse nuk ka shifra të sakta të tyre.
Gani Bajraktari, kryetar i Shoqatës së Kardiologëve në Kosovë i tha Radios Evropa e Lirë, se numri i qytetarëve me problemet shëndetësore me zemrën është në rritje çdo vit.
Ai shton se shtimin e numrit të pacientëve me probleme kardiovaskulare kryesisht dominon infarkti akut, si patologjia më e shpeshtë dhe më vdekjeprurëse në Kosovë, siç ndodh edhe në vendet tjera të zhvilluara dhe ato në zhvillim.
“Edhe në Kosovë, si edhe në shumë vende në zhvillim dhe ato të zhvilluara, sëmundjet kardiovaskulare mbesin si sëmundjet e para dhe shkaktar të vdekjeve”.
Në anën tjetër, Ekrem Hyseni, drejtor i Institutit të Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë se ndonëse është rritur numri i pacientëve me kancer, kjo nuk paraqet rritje reale, por vetëdijesim të qytetarëve për ta hetuar më herët sëmundjen.
“Viti 2016 është përmbyllur me 1236 raste të reja me kancer, derisa në vitin 2017, ka pasur 1550 raste të reja. Viti 2017 ka shënuar rritje, ndonëse nuk tregon saktë rritje, por rritje të vetëdijes së qytetarëve”, ka thënë Hyseni.
“Nëse krahasohet ky numër me popullatën e njëjtë në regjion, na del se jemi me numrin më të vogël të të sëmurëve me kancer. Kjo flet se kemi moshë të re të popullatës në Kosovë”, ka thënë tutje ai.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në “evropaelire.org”.