Prindër, mos i hidhni fëmijët në ajër asnjëherëe

2018-08-12 në ora 21:47

Të gjithë prindërit janë në dijeni se fëmija nuk duhet të goditet në asnjë mënyrë, por ata nuk e kuptojnë se të shkundurit është, gjithashtu, shumë i dëmshëm dhe shpeshherë i rrezikshëm edhe për vetë jetën e foshnjës.

Shkundja e fëmijëve ose e të porsalindurve, paraqet një rrezik të madh dhe në disa raste mund të çojë në pasoja fatale për të porsalindurin.

Tek fëmija i porsalindur, kockat e kokës janë shumë të buta. Të shkundurit e foshnjës, bën që truri të lëvizë brenda kafkës lehtësisht dhe të ndrydhet nga të goditurit në ashtin e kafkës. Sa më e fortë të jetë shkundja, aq më të mëdha mund të jenë pasojat. Po ashtu, sa më e vogël të jetë mosha e fëmijëve, rreziku është aq më i madh.

Tek të porsalindurit, rreziku është shumë më i madh për arsye se ende nuk u është zhvilluar muskulatura e qafës.

Shkundja shkakton të ënjturit, gjakderdhjen e mundshme dhe presionin në tru. Enët e gjakut dëmtohen, mund edhe të pëlcasin, nervat dëmtohen dhe retina e syrit mund të shkëputet, ose nervat optike të gërvishten, gjë që mund të sjellë verbërinë e plotë. Gjendja klinike është alarmante dhe përfundimi mund të jetë fatal.

Nëse flasim në mënyrë të përmbledhur, të shkundurit e foshnjës së porsalindur mund të shkaktojë dëmtimet e mëposhtme:

Konvulsioni (spazma) vështirë të kontrolluara (të përcëlluara me hemorragji intrakraniale);
Paraliza dhe lëndimi i syrit që mund të shkojë deri tek verbimi.

Lëndimi i trurit me pasoja akute si dhe me komplikime që mund të çojnë deri në gjendje kome, e rrallë edhe deri në vdekje të të porsalindurit.

Zhvillim i vonuar dhe ngecje psikomotore në të ardhmen.

Cila është arsyeja që ndodh shkundja e foshnjës?

Në shumicën e rasteve, shkundja e foshnjës ndodh nga pakujdesia e njërit prind, ose më shpesh nga pakujdesia e kujdestarit në përpjekje për t’ia ndalur të qarët foshnjës. Në raste më të rralla, shkundja bëhet e qëllimshme për të pushuar të qarët e foshnjës (kam qenë dëshmitar i një rasti të tillë me përfundim fatal).

Në raste më të rralla, shkundja bëhet edhe nga motrat ose vëllezërit e tjerë. Në këto raste, përpos shkundjes kemi edhe trauma të tjera tek foshnjat (pamje të tmerrshme të cilat ende i kam parasysh). Në punën time në kujdesin intensiv, kam trajtuar një rast të tillë të një vajze 3-vjeçare ndaj së cilës, procesin e shkundjes e kishin realizuar fëmijët tjerë. Arsye të tjera, mund të jenë edhe hedhja e fëmijëve në ajër, të ngriturit poshtë-lart ose të luhaturit në rreth, që prindërit ua bëjnë foshnjave në formë loje, pra, shkundja bëhet në mënyrë të paqëllimshme. Baballarët janë ata, që më së shpeshti tentojnë t’i qetësojnë fëmijët e tyre, duke i hedhur lart, duke rrezikuar në mënyrë direkte jetën e tyre.

Rastet me të rralla ndodhin nga aksidentet apo lojërat e vrazhda që zhvillohen me foshnjën, me qëllim që të qetësojnë të qarët e foshnjës.

Lëndimet nga të shkundurit, mund të jenë edhe rezultat i vrapimit të pakujdesshëm me të porsalindurin në duar, apo kërcimit poshtë e lart me foshnjën.

A mund ta parandalojmë sindromën e foshnjës së shkundur?

Mos bëni asnjë veprim të pakontrolluar me foshnjën tuaj para se të keni siguruar mirë kokën e foshnjës.

Mos lejoni asnjëherë qëndrimin e foshnjës suaj vetëm me fëmijë të tjerë të vegjël.

Bëhuni të vetëdijshëm për aktivitetet fizike që mund të shkaktojnë lëndime.

Kur e përqafoni, e ngitni apo e lëshoni foshnjën tuaj gjatë procesit të gjidhënies, gjithmonë mbajeni me dorë nga pas kokën e saj.

Nganjëherë, fëmijët qajnë pa ndonjë arsye ose kur janë shumë të lodhur, kurrë mos provoni të ndalni të qarët e tyre duke i shkundur nga poshtë-lartë. Kjo aspak nuk është mënyra e duhur e qetësimit të foshnjës.

Fëmijët janë qenie të brishta dhe të pambrojtura. Kurrë mos shfrytëzoni shkundjen ndaj tyre qoftë për t’u shprehur dashuri, për ndonjë lojë me ta apo për ndonjë dënim ndaj tyre./FamiljadheShëndeti

Kliko këtu për t’u informuar me testin që duhet ta bëjë secila nënë shtatzënë për të konfirmuar se shëndeti gjenetik i foshnjës në ardhje është në rregull.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *