Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë ka reaguar rreth lajmeve se buxheti i sigurimeve shëndetësore do të kalojë për pagesë të veteranëve të luftës.
Në një njoftim për media, ata kanë shprehur revoltën e tyre me këtë veprim, edhe pse kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj, e mohoi një skenar të tillë, shkruan Gazeta Shneta
Reagimi i plotë i PRAK:
Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK shprehë shqetësimin e thellë që fondet e dedikuara për shëndetësi, po transferohen në gjirollogaritë e veteranëve të luftës!
Të gjithë, madje edhe ata të cilët po i transferojnë këto fonde, por edhe përfituesit e tyre, pajtohen se shëndetësia është sektori më i nënfinancuar dhe me një mori problemesh. Në vend se të rritet buxheti për këtë sektor në mënyrë që t’u përgjigjet kërkesave të pacientëve, ky buxhet merret për të paguar pensionet e veteranve të luftës.
Fondet po barten pas presionit të veteranëve se do t’i bojkotojnë zgjedhjet! I kuptojmë politikëbërësit se ky është një shantazh serioz për ta. Gjithashtu, e kuptojmë se më së lehti është që këto fonde të sigurohen nga barnat e pacientëve, sepse ata nuk mund të kërcënojnë, ata madje as nuk mund të votojnë , ata janë të sëmurë!
Nuk e besojmë që veteranët janë të kënaqur me një zgjidhje të tillë të përkohshme dhe aspak realiste e cila do t’u rriste vuajtjet e pacientëve në mungesë barnash. Besojmë se edhe ata janë duke kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme që nuk shkon në dëm të askujt, e aq më pak të personave të sëmurë që më shumë se ata kanë nevojë për këto fonde. Kjo u takon institucioneve që të bëjnë zgjidhje.
Sugjerojmë Ministrinë e Financave dhe të Ministrinë e Shëndetësisë që mos të bëjnë këtë gabim sepse po e lëndojnë rëndë këtë sektor. Kërkojmë nga ta që paratë e dedikuara për Sigurime Shëndetësore të investohen prap në shëndetësi, jo në sektorë të tjerë qfarëdo qofshin ata.
Gjithashtu, ju bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, mos të aprovojnë një ndërhyrje të tillë në buxhetin e shëndetësisë, përkatësisht barnave të pacientëve.
Për këto barna pacientët kanë nevojë më shumë se për bukë!