Shoqata për të Drejtat e Pacientëve ka bërë një vlerësim për punën 100 ditëshe të ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili.
PRAK konsideron se Ismaili gjatë kësaj kohe ka qenë i koncentruar në vizita të institucioneve, takime në zyrën e tij si dhe emërime të njerëzve, transmeton Gazeta Shneta.
“Por, Pacientët ende nuk kanë prekur ndonjë ndryshim të madh në cilësinë e shërbimeve shëndetësore. Ata ende janë duke blerë barna të listes esenciale, duke shpenzuar shuma të mëdha të parave për trajtim jasht vendit, duke pritur mbi 3 vite për disa shërbime shëndetësore, duke vdekur nga pamundësia që t’i sigurojnë barnat (siç janë pacientët me fibrozë cistike)”, thuhet në vlerësimin e PRAK.
Lexoni njoftimin e plotë:
Lidhur me punën 100 ditëshe të Ministrisë së Shëndetësisë
PRAK e ka përcjellur me shumë interes punën 100 ditore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institucioneve vartëse të sajë.
Puna e ministrit Ismaili ishte e koncentruar kryesisht në vizita të institucioneve, takime në zyrën e tij dhe emërime të personave nëpër pozita të sektorëve kyq.
Por, Pacientët ende nuk kanë prekur ndonjë ndryshim të madh në cilësinë e shërbimeve shëndetësore. Ata ende janë duke blerë barna të listes esenciale, duke shpenzuar shuma të mëdha të parave për trajtim jasht vendit, duke pritur mbi 3 vite për disa shërbime shëndetësore, duke vdekur nga pamundësia që t’i sigurojnë barnat (siç janë pacientët me fibrozë cistike) etj…
Është për t’u përshëndetur vullneti i kabinetit të ministrit për ta rregulluar shëndetësinë, i tillë pothuajse ishte i të gjitha kabineteve të kaluara, por duhet të cekim se vullnetit duhet t’i shtohet një qasje serioze dhe shumë profesionale në mënyrë që të nxjerrim produkte cilësore të angazhimit.
Të gjitha ndryshimet që janë duke u bërë në shëndetësi, mund të konsiderohen si ndryshime kozmetike, nëse nuk kemi fillim të implementimit të Sigurimeve Shëndetësore ose pa ndarjen e blerësit nga ofruesi I shërbimeve shëndetësore. Njëherësh, ky konsiderohet edhe çelësi i reformës shëndetësore.
Ministria e shëndetësisë ka një strategji të miratuar, të cilën edhe përkundër të metave që i ka brenda, Ministria duhet ta zbatojë përderisa ai është një dokument valid, ose ta fus në procedurë të ndryshimit.
Shpresojmë që pas këtyre 100 ditëve të shohim veprime që e përmirësojnë kualitetin e shërbimeve shëndetësore.