Deputetët e komisionit parlamentar për shëndetësi e kanë kritikuar ministrin Uran Ismaili për mosraportim para deputetëve
Gjatë ditës së sotme është mbajtur mbledhja e Komisionit parlamentar për Shëndetësi, ku ishte i ftuar kryeshefi i Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Jeton Shala.
Shala ndonëse kishte konfirmuar pjesëmarrjen, nuk u shfaq para deputetëve për të raportuar mbi keqpërdorimet 300 mijë euroshe në këtë agjenci, shkruan Gazeta Shneta.
Deputetët vazhduan tutje duke diskutuar për raportin e auditorit për implementimin e Sistemit Informativ Shëndetësor.
Kryesuesja e Komisionit, deputetja Besa Baftiu, tha se SISH ka ngecje të mëdha duke theksuar edhe shfrytëzimin e buxhetit për nevoja të tjera nga Ministria e Shëndetësisë.
Deputetja tjetër, Fatmire Kollqaku, deklaroi se MSH nuk ka punuar për implementimin e këtij sistemi. Ajo shtoi se mungesa e SISH po pengon edhe zhvillimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
“Mungesa e sigurimeve shëndetësore ka krijuar monopol tek kompanitë private të sigurimeve të cilat po abuzojnë me klientët e tyre”, është shprehur Kollqaku.
Edhe deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ka kritikuar ministrin Uran Ismaili, për mospjesëmarrje në komisione.
Ismaili ka qenë i ftuar tri herë në Komisionin për Mbikëqyrje të Financave, por nuk ka marr pjesë.
“Nuk e di nëse ky ministër e kupton përgjegjësinë që e ka ndaj Kuvendit dhe deputetëve”, ka deklaruar Brovina.
“Secili ministër i ri që po vjen në MSH po tenton t’i fillojë projektet nga e para. Ne e kuptojmë se ministri nuk ka përgjegjësi për mandatet e kaluara, por ai duhet të raportojë para deputetëve”, ka thënë deputetja e PDK-së.
Ajo ka shtuar se ministri duhet të ftohet javën e ardhshme për të raportuar mbi SISH dhe revidimin e Listës Esenciale, për çka u dakorduan të gjithë anëtarët e komisionit. /Gazeta Shneta/