Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, tha se një operacion i gjerë hetimi e kërkimi është ndërmarrë sapo policia ka marrë informatën për incidentin e mëngjesit të sotëm.
“Në bashkëpunim të ngushtë me AKI ka bërë lokalizimin e personave të dyshuar. Është arritur që të arrestohen dy persona të dyshuar. I dyshuari i parë është M.J., 1956, që dyshohet si kryes i tentim- vrasjes ndërsa i dyshuari i dytë është A.M., 1964, i cili dyshohet si pjesëmarrës në këtë rast”, tha zëdhënësi Kelani.
Kelani tha se dyshohet që tentim-vrasja është kryer me një armë në të cilën ka qenë i vendosur një silenciator.
Sipas Kelanit, arrestimet janë bërë në zonën e përgjegjësisë së rajonit të Prishtinës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se dyshohet se kemi të bëjmë me një rast të përgatitur.
“Vet fakti që është sekuestruar një revole e cila është përdorë në këtë rast me pajisjen shtesë (silenciator), Policia dyshon se mund të jetë një rast i përgatitur, mirëpo është herët të konstatojmë këtë pasi duhet të presim rezultatin e hetueseve. Deri në këtë moment, rasti është cilësuar si vrasje në tentativë”, tha Kelani.
Avokati Azem Vllasi u plagos sot në mëngjes te banesa e tij, në rr. “Hajdar Dushi”, në Prishtinë.