Një shprehje e vjetër thotë: nëse do të dish se si do të plaket një vajzë, shikoji të ëmën. Por, sekreti i të dukurit 10 vite më të reja nuk fshihet vetëm tek gjenet.
Shkencëtarët tani thonë se një e treta e femrave që duken më të reja se mosha e tyre, ia detyrojnë këtë më së shumti mënyrës së jetesës.
Një studim i fundit ka zbuluar se 8 orë gjumë, marrja e vitaminave dhe aktiviteti i rregullt fizik, të gjitha këto janë të rëndësishme që një grua të duket më e re.
Femrat më pak të organizuara, të cilat nuk e hidratojnë lëkurën, nuk e mbrojnë nga dielli apo nuk kujdesen për peshën e tyre, kanë më pak gjasa që të kenë një plakje të bukur.
Gjatë një studimi të kryer nga Universiteti i Harvardit, në bashkëpunim me kompaninë e kujdesit ndaj lëkurës “Olay”, studiuesit vunë re se në grupin e disa vajzave dhe grave të moshave nga 20 deri në 74 vjeç, që dukeshin 10 vitemë të reja, dy të tretat e kishin përbërësin gjenetik, i cili ndikon tek lëkura e mirë, ndërsa pjesës tjetër i mungonte.
Ama ato sërish dukeshin mirë. Atëherë u zbulua se këto femra flinin mjaftueshëm, çka rriste me 10% shanset për t’u dukur më e re. Kjo mundësi shtohej me 18% nga marrja e vitaminave dhe me 14% të tjera nga aktiviteti i rregullt fizik.
Padyshim, nuk përbën me risi fakti që si dielli, ashtu dhe duhani janë armiq të lëkurës. Megjithatë, pavarësisht ndotjes gratë në qytete vazhdojnë të konsiderohen më të favorizuara se ato që jetojnë në fshat ku kalojnë një pjesë të madhe të kohës jashtë dhe ekspozohen më tepër ndaj rrezeve të dëmshme ultravioletë.