Ka përfunduar konkursi për drejtorë të shtatë klinikave në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës
Shërbimi Spitalor Klinik Universitar ka përfunduar procesin e konkursit për drejtor edhe për shtatë klinika të QKUK-së. Drejtor i Klinikës Emergjente është përzgjedhur edhe për një mandat Dr. Basri Lenjani. Ai ka marr sërish këtë pozitë pas intervistës me gojë, ndërsa në testin me shkrim kishte arritur 58 pikë.
Edhe në Klinikën e Neurokirurgjisë është zyrtarizuar edhe për një mandat në postin e drejtorit Dr. Arsim Morina. Ai ka kaluar testin me shkrim me 69 pikë, shkruan Gazeta Shneta.
Në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve drejtor është përzgjedhur Dr. Murat Berisha. Ai ka qenë në konkurrencë me ish-drejtorin Dr. Nexhmi Hyseni dhe Dr. Hysni Jashari.
Konkursi ka sjellë ndryshime edhe në udhëheqjen e Klinikës së Radiologjisë ku drejtor është përzgjedhur Dr. Bujar Gjikolli. Në këtë klinikë kanë qenë në intervistën me gojë edhe tre kandidatë të tjerë, ish-drejtoresha Dr. Serbeze Kabashi, Dr. Arben Kutllovci dhe Dr. Gani Morina.
Edhe nga një mandat kanë fituar edhe dy drejtorë të klinikave, ai në Kardiologji dhe Ortopedi. Në të parën pozitën e drejtorit do të vazhdojë ta mbajë Dr. Imri Jashari kurse në Ortopedi Dr. Arbër Tolaj.
Kujtojmë se gjatë kësaj jave është zyrtarizuar në pozitën e drejtorit edhe Dr. Venera Berisha-Muharremi në Klinikën e Endokrinologjisë. /Gazeta Shneta/