Përgaditja psiqike e fëmijëve për ditën e parë të shkollës

2018-11-08 në ora 22:08

Edukimi, si pjesë zhvilluese kognitive dhe intelektuale e çdo individi, fitohet tek njerëzit në forma të ndryshme, duke filluar që nga koha e lindjes, ku baza e edukimit fitohet nga familja dhe pastaj nga rrethi social dhe kështu duke kaluar më vonë edhe tek institucionet mësimore siç janë kopshtet për fëmijë, shkollat, pastaj universitetetet, të cilat të miksuara, ndikojnë në formimin e personalitetit tone, shkruan revista psika, transmenton gazeta shneta.

Jo gjithmonë fëmijët janë të gatshëm t’i përjetojnë mirë gjërat e ndryshme që hyjnë në jetën e tyre, e ndër to është edhe shkolla. Për fëmijë të tillë duhet të kemi kujdes të madh gjatë ditëve të para të shkollës që ata mos të demoralizohen dhe duhet gjithsesi të bisedojmë me ta për shkollën, ta dimë se si ata po e perceptojnë atë, t’i dimë vështirësitë që kanë me adaptimin në ambientin shkollor dhe social dhe kështu së bashku t’i zgjidhim ato vështirësi gradualisht, sepse duhet kohë që një fëmijë të mësohet me këto ndryshime.

Prindërit duhet të dinë se largimi nga shtëpia për të shkuar në shkollë shpeshherë shkakton që fëmijët të ndihen të mërzitur dhe shpeshherë prindërit marrin telefonata nga mësuesit, se fëmijët e tyre ndihen të mërzitur apo si në shumicën e rasteve, ata kanë dhimbje barku, të cilat “kalojnë” menjëherë sapo mbërrijnë në shtëpi.

Ankthi është pjesë emocionale e çdo njeriu dhe vjen si pasojë e frikës se çka do të ndodh me të ardhmen tonë. Ankthi paraqitet tek secili person pa marrë parasysh moshën, pra duke përfshirë edhe fëmijët. Ankthi tek fëmijët në ditët e para të shkollës vjen si pasojë e një ndryshimi të madh që vjen në jetën e tyre dhe këtë duhet ta dinë edhe prindërit dhe mësuesit, se nuk është e lehtë për fëmijët që t’i përjetojnë në mënyrë normale këto ndryshime dhe këta së bashku duhet që të gjejnë forma për tejkalimin e ankthit, ku edhe ndihmesën më të madhe mund ta japë edhe psikologu i shkollës.

Një arsye tjetër se pse fëmijët ndihen në ankth, është se ata mund të paragjykohen nga bashkëmoshatarët, mësuesit apo të tjerët, në rast se ata gabojnë diçka. Kjo është edhe një formë tjetër e ankthit që në psikologji njihet si ankthi social apo çrregullimi i ankthit social (i quajtur më parë fobia sociale).

Ndonjëherë, është problem për prindërit (apo kujdestarët) për ta gjetur një zgjidhje, mirëpo nëse shihni që nuk po mundeni që t’ia dilni mbanë atëherë, duhet të konsultoheni me një psikolog, i cili do t’ua lehtësojë punën me fëmijët e tuaj dhe do ju ndihmojë që fëmijët të ulin nivelin e ankthit në shkollë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *