Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, përmes një postimi në faqen zyrtare të tij në Facebook, ka përgëzuar menaxhmentin e QKUK-së për masat e ndërmarra ndaj pazarit me kufoma.
Ministri Ismaili ka theksuar se do të ndërmirren të gjitha masat ligjore në lidhje me rastin dhe personave të përfshirë në të, shkruan Gazeta Shneta.
“Është mbajtur një takim nga menaxhmenti i SHSKUK-së me shtatë kompanitë që transportojnë kufomat nga morgu i QKUK-së, të cilat janë të licencuara nga MTI-ja.”, shkroi më tutje, Ismaili.
E kompanitë që mundësojnë transformimin e trupave nga morgu i QKUK-së, do të detyrohen që të sjellin dëshmitë për licencat e lëshuara nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Gazeta Shneta pak ditë më parë kishte publikuar skandalin ‘Pazari me kufoma’, duke arritur t’i dokumentojë lidhjet e mjekëve, infermierëve dhe sigurimit, me kompaninë transportuese “Ngushllimi”.
Ndiqeni shkrimin e plotë të Ministrit:
“E përgëzoj menaxhmentin e QKUK-së për reagimin e shpejt dhe marrjen masave konkrete rreth raportimeve në media lidhur me pretendimet për “Pazarin me kufoma”.
Tashmë kanë nisur të gjitha masat ligjore në lidhje me rastin dhe ndaj të përfshirëve në të, duke u proceduar në komision disiplinor.
Është mbajtur një takim nga menaxhmenti i SHSKUK-së me shtatë kompanitë që transportojnë kufomat nga morgu i QKUK-së, të cilat janë të licencuara nga MTI-ja.
Këto kompani janë obliguar të gjitha që ditën e martë t’i sjellin dëshmitë për licencat e tyre të lëshuara nga ky institucion.
Është vendosur që meqë janë shtatë kompani të licencuara, secila të ketë nga një ditë të javës, me vetëm një numër kontaktues dhe parking të rezervuar.
Sektori i shëndetësisë ka probleme të mëdha, por vullneti ynë është më i madh se pengesat.
Shëndetësia e Kosovës ka nevojë për njerëz profesionistë, të ndërgjegjshëm dhe të cilët, mbi të gjitha, respektojnë punën dhe ligjin. Të tjerët nuk do të kenë vend aty.”