Skandalet e gjinekologut turk Ahmet Payasli kanë filluar që nga viti 2014 kur ishte duke punuar në spitalin privat “Bahçeci”, në Prishtinë.
Një çift që kishte shkuar në këtë institucion për të kryer IVF, ishin takuar me mjekun nga Turqia. Pas njoftimit me procedurën për frytnim të asistuar, për t’i bindur pacientët, Payasli kishte hyrë në Facebook dhe ua kishte treguar rastet e suksesshme që i kishte pasur më herët.
Gjinekologu ua kishte treguar ish-pacientët e tij të cilët tashmë ishin bërë prindër dhe kishin postuar fotografi me fëmijët e tyre në Facebook.
Payasli kishte bërë shkelje të ligjit dhe për këtë kishte pas ankesa edhe në Agjencionin Shtetëror për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Kjo e fundit kishte kryer edhe një inspektim në “Bahçeci” në vitin 2014, shkruan Gazeta Shneta.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur para tri viteve më 3 tetor, ish-zëvendësi i mbikëqyrësit të kësaj agjencie, Mentor Hoxhaj, kishte paraqitur të gjeturat dhe shkeljet në këtë spital.
Hoxhaj kishte deklaruar se “Bahçeci” kishte zbuluar të dhënat personale të pacientëve. Poashtu kishte mungesë të dosjeve të stafit dhe nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje për ruajtje të konfidencialitetit të pacientëve të vet.
Të dhënat personale i kishte zbuluar gjinekologu Ahmet Payasli.
“Dr Ahmet Payasli ka zbuluar të dhënat e nëntë personave të cilët janë trajtuar në kuadër të spitalit ‘Bahçeci’”, kishte deklaruar Hoxhaj, duke shtuar se “ndodhë që të ketë fekondim me donatorë, për çka duhet të ketë një ruajtje të plotë të të dhënave të të dyja palëve”.
Burime të Gazetës Shneta të afërta me rastin e ankesës, hedhin dyshime se Payasli ka sjellë donatorë të spermës edhe nga Turqia.
Në anën tjetër, “Bahçeci” kishte mohuar një gjë të tillë duke thënë se nuk janë në dijeni për zbulimin e të dhënave.
Ky spital edhe sot mohon të ketë pasur parregullsi në kohën kur Payasli ka punuar aty.
“Dr. Ahmet Payasli ka qenë i punësuar në spitalin ‘Bahçeci’ dhe ka shërbyer në pozitën e tij si mjek deri më 5 shkurt 2014, kur ka dhënë dorëheqjen nga marrëdhënia e tij e punës në ‘Bahçeci’. Gjatë periudhës së tij të punës në spitalin tonë, Dr. Ahmet Payasli ka qenë i licencuar dhe asnjë parregullsi nuk është raportuar nga Ministria e Shëndetësisë”, thuhet në një përgjigje për Gazeta Shneta.
Për këto shkelje, Hoxhaj kishte bërë edhe një kallëzim penal në vitin 2014. Gazeta Shneta nuk ka mundur ta konfirmojë nëse ky rast është ende i hapur në Policinë e Kosovës, Prokurorinë Themelore dhe as në Gjykatën Themelore.
Të tri këto institucione nuk kanë kthyer përgjigje.
Ahmet Payaslit tashmë i është ndaluar puna pasi nuk është licencuar nga Bordi i Licencimit pranë Ministrisë së Shëndetësisë për shkak të shkeljeve që i ka bërë në muajt e fundit.
Gazeta Shneta ka raportuar për gjetjet e Inspektoratit Shëndetësor në klinikën e tij private “Dr. Payasli”. Aty janë zbuluar barna pa afat, produkte medicinale për trajtim me IVF me prejardhje të dyshimtë, si dhe janë konfiskuar para kesh e dokumente të tjera.
Gazeta Shneta poashtu ka raportuar edhe dy raste të ankesave ndaj tij. Në njërin rast pacientja kishte kërkuar IVF me përcaktim gjinie, për çka Payasli kishte kryer procedurën por e njëjta kishte dështuar.
Pacientja kishte paguar 9 mijë euro dhe nuk kishte marr asnjë dëshmi dhe raport me nënshkrim dhe vul të mjekut turk.
Gjinekologu turk nuk ka pranuar t’i lëshojë as raporte mjekësore, duke thënë se “nuk i lëshon raporte asnjë pacienti, sepse në rast se ka ankesa ai të ketë mundësi për t’u mbrojtur”.
Këtë rast është duke e shqyrtuar edhe Komisioni Etik dhe Payasli nuk do të licencohet derisa të jepet konstatimi nëse është bërë shkelje gjatë trajtimit të kësaj pacienteje.
Ndaj tij ka filluar hetimet edhe Prokuroria e Shtetit. /Gazeta Shneta/