Inspektorati Shëndetësor ka zënë gjinekologun turk Ahmet Payasli duke punuar pa licencë. Në këtë rast është kërkuar edhe asistenca e Policisë pasi mjeku është sjellë dhunshëm ndaj inspektorëve. Klinika “Payasli” poashtu është gjobitur me 8 mijë euro
Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë ka arritur që të verifikojë dyshimet se gjinekologu turk Ahmet Payasli është duke punuar pa licencë. Mjekut i ka skaduar licenca në shtator të vitit të kaluar dhe e njëjta nuk i është vazhduar si pasojë e një ankese që është ushtruar nga një ish-paciente e tij. ISH ia kishte ndaluar veprimtarinë në Kosovë deri në rilicencim, megjithatë “Klinika Payasli” kishte vazhduar punën duke mashtruar kinse aty punojnë edhe mjek vendor.
“Megjithatë, gjatë vizitës së Inspektoratit Shëndetësor, profesionistët shëndetësor të deklaruar se punojnë aty nuk kanë qenë në vendin e punës, ndërsa janë gjetur të dhëna se Payasli nuk e ka respektuar ndalesën e Inspektoratit Shëndetësor dhe ka ushtruar profesionin shëndetësor pa licencë përkatëse”, ka deklaruar kryeinspektorja Dr. Ardita Baraku për Gazeta Shneta.
Gjatë këtij inspektimi është kërkuar edhe asistenca e Policisë së Kosovës pasi mjeku turk disa herë ishte sjellë në mënyrë të dhunshme ndaj inspektorëve të MSH-së. “Policia e Kosovës kanë ofruar asistencë Inspektoratit Shëndetësor gjatë inspektimit në Klinikën Payasli, me që Payasli, në mënyrë të përsëritur në komunikimin me Inspektoratin, ka qenë jobashkëpunues dhe ka grushtuar dhe shqelmuar tavolinën ku shkruante Inspektori i rastit”, thotë tutje Baraku.
ISH tanimë ka dërguar “Klinika Dr. Payasli” në rivlerësim në Bordin për Licencim të Institucioneve Shëndetësor në MSh, për t’u vlerësuar licenca e këtij institucioni për shkak se nuk i plotëson kushtet për punë sa i përket kuadrit profesional. Ndërsa të njëjtës i është shqiptuar gjoba prej 8 mijë eurosh. “‘Klinika Dr. Payasli’” është dënuar në vlerë prej 8000 Euro për shkak të punësimit të mjekut të huaj pa licencë, në pajtim me aktet juridike në fuqi”.
Kryeinspektorja ka bërë të ditur tutje se lënda nga inspektimi i fundit do t’i dërgohet Bordit për Licencim, Odës së Mjekëve dhe Prokurorisë pasi Ahmet Payasli tanimë veçse është nën hetime nga bastisja që ishte kryer nga Administrata Tatimore e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar. Gjatë bastisjes janë gjetur dëshmi për shmangie tatimi, barna me afat të skaduar dhe me prejardhje të dyshimtë, si dhe para kesh.
Gazeta Shneta ka raportuar edhe për dy raste skandaloze lidhur me veprimtarinë e Payaslit si gjinekolog në Kosovë. Ai është duke u përballur me një ankesë të një pacienteje kosovare, e cila e ka akuzuar mjekun turk për pasojat me të cilat është përballur ajo si nënë dhe foshnja pas lindjes.
Skandali për të cilin Payasli mund të mos licencohet kurrë më në Kosovë
Payasli poashtu akuzohet nga një paciente tjetër se i ka ofruar mundësinë e zgjedhjes së gjinisë gjatë Frytnimit të Asistuar Mjekësor, çka është e ndaluar me ligj. /Gazeta Shneta/
Skandal: Payasli bëri përcaktim gjinie, nëna pagoi 9 mijë euro për IVF-në e dështuar